Shqipëri: Ndryshon Kodi Zgjedhor/Shqiptarët jashtë vendit fitojnë të drejtën për të votuar

0

Kuvendi i Shqipërisë vendosi ndryshimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Vota e shtetasve shqiptarë jashtë vendit  tashmë do të garantohet njësoj si për shtetasit shqiptarë që do të votojnë në Shqipëri. Ndryshimet janë produkt i konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës në Këshillin Politik.

Ndryshimet e miratuara në Kodin Zgjedhor përcaktojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucionin i cili do të drejtojë dhe mbikëqyrë procesin për votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë të bëjnë me të drejtën e votës për zgjedhësit që kanë vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, votimi nga jashtë vendit do të organizohet dhe administrohet nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve. Ai do të vendosë për sistemin e rregullave dhe procedurat e votimit jashtë vendit.

Vota e votuesve nga jashtë vendit do të administrohet nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj.

Votimi nga jashtë vendit do të quhet i çelur nga dita që KQZ nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit, ose sipas rastit dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve jashtë vendit.

error: Të drejtat e rezervuara !!