Ish-mësuesi i Malësisë, Gjon Gjekë Lucaj- “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

0

Ky ishte motivacioni: “Për patriotizmin e treguar gjatë kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë së Veriut; mësues i nderuar dhe i përkushtuar i gjuhës shqipe, historisë dhe ligjërues i devotshëm i saj, duke u bërë burim frymëzimi për brezat pasardhës”, thuhej në dekoratën e Presidentit, Ilir Meta, të dorëzuar nga këshilltari, Flamur Gashi, në ditën kur edhe u inaugua busti i parë e kryetrimit tonë në Mal të Zi

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Me rastin e inaugurimit të bustit të kryetrimit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Triesh të Malësisë së Madhe në Malin e Zi (më 15 Tetor 2019)  ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët si dhe diaspora, që ndihmoi realizimin e këtij projekti, u zhvillua edhe një eveniment tjetër i rëndësishëm: familjarëve të ish- mësuesit të kësaj ane, Gjon Gjek Lucajt iuu dorëzua dekorata e Presidentit Ilir Meta.

Burim frymëzimi për brezat pasardhës

Në manifestimin e organizuar, të pranishmit i përshëndeti, këshilltari i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, z. Flamur Gashi, i cili në emër të institucionit të presidentit Meta, i dha titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, ( pas vdekjes), ish mësimdhënësit Gjon Gjekë Lucaj, me motivacion: “Për patriotizmin e treguar gjatë kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë së Veriut; mësues i nderuar dhe i përkushtuar i gjuhës shqipe, historisë dhe ligjërues i devotshëm i saj, duke u bërë burim frymëzimi për brezat pasardhës”. Këtë mirënjohje me këtë titull të lartë për një mësuese malësie e pranoi nipi i Gjon Gjekës, i riu Pjetër Lucaj, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këshilltari Flamur Gashi po ashtu shprehi kënaqësie që kjo mirënjohje dorëzohej kur edhe inaugurohej busti i kryetrimit tonë në oborrin e shkollës e cila që nga viti 1968 e mban emrin e Skënderbeut, për çka edhe merita i përkiste pikërisht këtij mësimdhënëse që edhe iu nda ky urdhër i lartë nga presidenti shqiptar.

Nga Shkodra në Triesh

Ata që kanë shkruar për patriotin dhe mësuesin veteran, Gjon Gjekën, thonë se ai kishte lindur në Shkodër në vitin 1887 dhe se aty e kishte kaluar fëmijërinë ku edhe kishte mbaruar shkollën fillore dhe në moshën 10-vjeçare ishte vendosur në Triesh, në mënyrë që në këtë pjesë të malësisë sërish të vazhdojë shkollimin por jo edhe në gjuhën amtare.

Mësa mësojmë, : fëmijëria e kaluar në Shkodër pati ndikim të madh në formimin e mësuesit të merituar., të cilin qysh në vitin 1898 e ëma e mori nga Shkodra dhe e solli në vatrën fëmijërore në Triesh. Në vitin 1902, Gjoni kreu për të dytën herë tri klasë të shkollës fillore ndërsa të katërtën e kreu në Podgoricë.

Takim i rëndësishëm me Andon Zako Çajupin

Familja e tij ishte e varfër, nuk kishte mundësi të shkollonte Gjonin e etshëm për dituri. Megjithatë për te edhe në ato kushte, libri bëhet shoku i tij më i ngushtë, sa arrin të përvetësojë katër gjuhë të huaja dhe kështu fitoi kulturë të gjerë. Në moshën 21 vjeçare udhëton prej Podgorice në Cetinë e prej andej në Tivar ku punoi katër muaj për të siguruar të hollat për të shkuar në Greqi, ku qëndroi dy javë ku u njoh me shumë patriotë shqiptarë e posaçërisht qe i frytshëm dhe i rëndësishëm takimi me Andon Zako Çajupin.

Prej Greqisë kalon në Sanxhak për t’u takuar me organizatorët e kryengritjes. Mandej kalon në Vlorë, Durrës, Ulqin, Tivar për të arritur në Triesh, që t’i organizojë bashkëvendësit në kryengritje kundër turqve, por kushtet nuk ishin të volitshme, sepse trieshianët ishin nën shtetin e Malit të Zi.

Torturime në burgjet malazeze

Ai u arrestua disa herë: siç mësojmë në Podgoricë, në vitin 1909, një renegat i Malit të Zi nga Triepshi e padit dhe e burgosin. Në burg e mundojnë duke iu kërcënuar se do ta vrasin. Pas tetë ditë torture në burgun e Podgoricës e dërgojnë në Cetinë. Torturat ishin të padurueshme, e akuzonin si tradhtar të shtetit. Burgu i Cetinës dhe Podgoricës nuk mundën ta largojnë prej qëllimeve të tij të shenjta. Mbreti i Malit të Zi, Nikolla u dha amnisti të burgosurve politikë dhe Gjoni lirohet me kusht që të kalojë në Shkodër ose Austri. Në vitin 1910 e hasim në Vjenë. Edhe atje bashkëpunon me patriotët dhe studentët shqiptarë. Doktor Georg Pekmezi ishte figura qendrore e shqiptarëve, të cilët gjendeshin në Vjenë. Qe shumë i frytshëm takimi dhe bashkëpunimi me Fan Nolin, Faik Konicën, Vincenc Prenushin, Lukë Lukajn, Zef Harapin e të tjerë.

Në Dinoshë hap shkollën e parë shqipe, 100 vjet më parë

Ndërsa sa i përket punës në arsim , Gjoni qysh në moshën 24 vjeçare filloi punën në arsim. Emërohet mësues në Dibër ku punoi vetëm një vit. Në vitin shkollor 1917/18 për herë të parë hapë shkollën në gjuhën shqipe në Dinoshë. Shkolla filloi të punonte në ndërtesë private dhe nuk u përgjigjej kushteve më elementare. Por me iniciativën e mësuesit të nderuar dhe popullit të etshëm për arsim, kushtet përmirësohen dhe mësimi zhvillohej rregullisht. Tekstet shkollore i merrnin nga Shkodra, të gjitha në gjuhën amtare.

Sigurimi teksteve përmes patriotëve të shquar shqiptarë

Për sigurimin e teksteve mësimore dhe për punën e shkollave kujdes të veçantë kanë treguar Shtjefën Gjeçovi, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda e të tjerë. Mësuesi i zellshëm u mësonte nxënësve këto lëndë: gjuhë amtare, histori, vizatim etj. Përndryshe i ka çmuar të gjitha lëndët por gjuhën amtare, historinë e këngën në mënyrë të veçantë. Kjo arsyetohet sepse detyrën në arsim e përqafoi në rend të parë si obligim kombëtar ndaj popullit të vet.
Gjatë kohës së ish Jugosllavisë ka shërbyer nëpunës në Hot, Grudë e Triesh. Pas çlirimit emërohet mësues në Trieshin e Poshtëm ku punoi me vullnet me nxënës dhe të rritur. Gjoni me plot të drejtë quhet mësuesi i Malësisë së Madhe, sepse kaliti e arsimoi shumë gjenerata të cilat i detyrohen Gjonit për respekt dhe mirënjohje. Gjoni është marrë edhe me shkrime. Është i rëndësishëm artikulli “Zhvillimi i arsimit në Triesh” botuar më 1968.

Gjatë shtegtimeve të mija në Hot e Grud, kam vërejtur se presidentët e fundit të e Shqipërisë, Bujar Nishani e Ilir Meta,  duke pas një këshilltar të mirëfilltë si Flamur Gashi, kanë ditë se kënd duhet vlerësuar e dekoruar, ndaj edhe në tri raste kam has në personalitete dhe figurat që janë dekoruar: heroi Dedë Gjon Luli, etnografi Shtjefën Ivezaj dhe tash atdhetari dhe mësuesi i devotshëm i Malësisë Gjon Gjekë Lucaj.

error: Të drejtat e rezervuara !!