PD: Nimanbegu duhet të japë dorëheqje nga posti i Kryetarit të KKSH-së

0

Drejtori i Ndërmarrjes publike për rritjen dhe kultivimin e egërsirave dhe kryetari i Forumit rinor të Partisë Demokratike Ajet Zaga ka dalur me një reagim personal të tijin rreth ngjarjeve më të fundit në skenën politike të Ulqinit.

Duke parë përhapjen e disa dezinformatave krejtësisht të papërgjegjshme të portalit lajm.me, i cili duket se është vendosur këmbë e krye në shërbim të propagandës politike partiake të Forcës së Re Demokratike, e ndiej të nevojshme të reagoj dhe të bëj një sqarim për qytetarët dhe opinionin publik.
Është normale që çdo media, qoftë e shkruar, elektronike, online etj., pavarësisht faktit nëse është e financuar dhe e drejtuar nga një parti politike dhe anëtarë të saj, siç është rasti i portalit lajm. me, duhet të ketë minimumin e etikës, përgjegjësisë dhe profesionalizmit, të bazuar në saktësinë, vërtetësinë, shkrimin e lajmit dhe publikimin e tij.

Por ajo që të bie në sy te portali lajm. me dhe që përbën karakteristikë të kësaj medie është njëanshmëria e lajmit dhe manipulimi i opinionit publik, me qëllim arritjen e synimit të caktuar politik. Kjo tregon qartë se kjo media administrohet fund e krye nga njerëzit e politikës dhe është vënë në shërbim të politikës, duke mos respektuar as kriteret bazë për publikimin e një lajmi, për çfarë edhe duhet të mbajë përgjegjësi para opinionit, qytetarëve të Ulqinit dhe lexuesve, fatmirësisht të pakët. Mirëpo duke qenë në funksion të përhapjes së dezinformatave dhe propagandës, si dhe duke u udhëhequr nga njerëz të motivuar politikisht, vështirë se mund të shpresohet që të hiqet dorë nga mashtrimi dhe paraqitja e gjërave në mënyrë të njëanshme.

Në mesin e shumë gënjeshtrave të përhapura kohës së fundit është edhe lajmi se kryetari i Partisë Demokratike dhe i Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka i ka ofruar postin e kryetarit PDS-së. Ky është vazhdim i papërgjegjësisë së këtij pseudo portali në publikimin e dezinformatave dhe përhapjes së lajmeve të rreme, të pambështetura në asnjë fakt, duke tentuar në këtë mënyrë të hutojë opinionin publik, sidomos gjatë kësaj periudhe kur si rezultat i veprimeve totalisht të pamenduara dhe aspak në interes të qytetarëve, Forca ka krijuar zhgënjim të gjithanshëm te qytetarët, e madje edhe te një pjesë e mirë e anëtarëve të saj.

Sjelljet e tilla tregojnë qartë konfuzionin dhe krizën e thellë që është duke kaluar kjo parti, e udhëhequr nga lakmia për të qenë me çdo kusht dhe me çdo çmim në pushtetin komunal, në dëm të interesave të të gjithë qytetarëve të Ulqinit dhe kundër të gjitha subjekteve të tjera.
Paaftësinë e vet për të bashkëpunuar me të tjerët, përveç që e ka treguar shumë herë gjatë qeverisjes në pushtetin lokal në Ulqin, Forca e dëshmoi edhe në rastin e iniciativës së ndërmarrë nga PD-ja për formimin e një platforme të përbashkët të partive shqiptare, si e vetmja parti e cila nuk ishte pjesëmarrëse në takimin e partive shqiptare. Bile këtë iniciativë të rëndësishme e konsideron dhe e paraqet përmes mediave të saj si dështim, duke treguar edhe në këtë rast papërgjegjësi ndaj të vërtetës dhe mashtrim të opinionit publik.

E vërteta është se kjo logjikë, deri diku e çuditshme dhe e pakuptueshme, e mosrespektimit të subjekteve të tjera politike dhe për më tepër e partnerëve të koalicionit, e ka shtyrë këtë parti me keqardhje, në ndërmarrjen e hapave krejtësisht të gabuar dhe devijim ekstrem, duke vënë që në fillim në vështirësi bashkëqeverisjen dhe funksionimin e një pushteti serioz dhe normal.

Kjo gjë vërtetohet nga përpjekjet e menjëhershme dhe të vazhdueshme për ndryshimin e pushtetit komunal nga Forca e Re Demokratike, e cila përmes bisedimeve të zhvilluara me PDS-në ka kërkuar rikompozimin e pushtetit dhe formimin e një koalicioni të ri, Forcë – DPS. Pas tentativave të vazhdueshme të bëra në këtë drejtim nga ana e Forcës, duket se palët kanë arritur marrëveshje për formimin e pushtetit të ri, në të cilën është paraparë pothuajse në detaje mënyra e organizimit të qeverisjes dhe ndarja e pozitave udhëheqëse. Kjo më pas nga ana e Forcës është realizuar me ndërmarrjen e iniciativës për ndërrimin e pushtetit dhe formimin e shumicës së re me DPS-në, me kërkesë dhe iniciativë të nënshkruar nga këshilltarët e Forcës së Re Demokratike. Gjatë gjithë kësaj kohe, kjo parti është fokusuar krejtësisht në kërkim të zgjidhjes për formimin e pushtetit me DPS-në dhe eliminimin e të gjitha subjekteve të tjera shqiptare.

Është për t’u çuditur fakti se në gjithë këtë lojë të ndytë politike në dëm të partive shqiptare ka marrë pjesë aktivisht edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, i cili pas gjithë kësaj duhet të japë dorëheqje.

Energjia e shpenzuar në luftimin e partnerëve të koalicionit qeverisës ka ndikuar, nga ana tjetër, që kjo parti të tregohet totalisht indiferente ndaj obligimeve të saj si pjesë e qeverisjes, duke mos ndërmarrë asnjë punë konkrete dhe pa sjellë asnjë rezultat gjatë gjithë kësaj kohe, pavarësisht se mbulon pozitat më të rëndësishme të qeverisjes në komunën e Ulqinit.
Në këtë mënyrë, përhapja e spekulimeve nga portale partiake të Forcës se PD-ja i ofron kryetarin e Komunës DPS-së nuk përbën asgjë tjetër, veçse një tentativë për të krijuar konfuzion tek qytetaret dhe për të kamufluar veprimet e veta të papërgjegjshme dhe lojërat e vazhdueshme politike.

Kujtojmë se marrëveshjet e fshehta dhe intrigat politike, si dhe sjellja me standarte të dyfishta, duket se janë bërë pjesë e serialeve të kësaj partie e cila tregon edhe një herë për mungesën e seriozitetit dhe gatishmërinë e saj që të tregtojë çdo gjë në këmbim të përfitimeve politike dhe personale.

Këto veprime dhe iniciativa të ndërmarra nga Forca e Re Demokratike për formimin e pushtetit me DPS-në, kanë bërë të pamundur vazhdimin e koalicionit aktual dhe për pasojë do të ndikojnë me sa duket edhe në ndryshimet në qeverisjen e komunës së Ulqinit.
Duhet thënë se kjo mënyrë e qasjes ndaj partnerëve të koalicionit dhe ndaj politikës, si dhe “mania e pushtetit” për t’u arritur me çdo kusht, në mungesë të një minimumi korrektësie dhe kundër të gjithëve, vetëm në interes të përfitimeve të ngushta, përbën një shembull jo të mirë që nuk i kontribuon të ardhmes së Ulqinit dhe qytetarëve të tij.

error: Të drejtat e rezervuara !!