LSDM dhe Lëvizja BESA nënshkruan marrëveshje për koalicion parazgjedhor (Video)

0

Për të parën herë në histori koalicion parazgjedhorë mes partive maqedonase dhe partive shqiptare.

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev, sot kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 12 prillit.

Marrëveshja u nënshkrua në Shkup, në hapësirat e Muzeut të Arteve Bashkëkohore, njofton Telegrafi Maqedoni.

Sipas marrëveshjes, kryetari i Lëvizjes BESA do të jetë bartës i listës në Njësinë Zgjedhore 6, ku do të garojnë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Në deklaratën e përbashkët të dy partive, theksohet se kjo marrëveshje nënshkruhet në frymën e ndërtimit të besimit dhe ardhmërisë së përbashkët evropiane dhe respektimit të vlerave qytetare, identike të vlerave evropiane.

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, gjatë fjalimit të tij ju bëri thirrje edhe partive tjera që t’i bashkëngjiten këtij koalicioni.

“Zgjodhëm të jemi në koalicion me LSDM-në, pasi LSDM-ja synon ta bëjë vendin anëtare të BE-së. Me këtë partneritet do të tregojmë se shqiptarët dhe maqedonasit mund të punojnë së bashku për të mirën e vendit”, tha Kasami.

Ndërsa kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, tha se shoqëria po ndryshon për të mirë dhe se koncepti “për shoqëri të përbashkët” i sfidon stereotipet.

“LSDM-ja ishte partia e parë maqedonase që arriti të marrë vota të shqiptarëve. Por ky sot është akt i veçantë. Me këtë hap të përbashkët, karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut e konkretizojmë në program qeveritar”, tha Zaev.

Ndryshe, përveç këtij koalicioni, para disa ditësh edhe partitë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternative nënshkruan marrëveshje për koalicion parazgjedhor.



error: Të drejtat e rezervuara !!