Viti jubilar i Shoqatës “ Malësia e Madhe” në Nju-Jork

0


Njëzet e pesë vjet   aktive e lidhur me fatin e Malësisë

Gjekë Gjonaj

Malësorët në Shtete të Bashkuara të Amerikës, sikur të gjithë shqiptarët  që jetojnë dhe veprojnë jashtë trojeve  të tyre etnike,  në vazhdimësi  kanë mbajtur fuqishëm lidhjet me vendlindjen e tyre.  Pa ndihmën e  vazhdueshme  të tyre Malësia nuk do të ishte ajo që është sot, në aspektin social , ekonomik, arsimor e kulturor.   Ndihmat e para  financiare nga radhët e komunitetit shqiptar nga  Mali i Zi në  Amerikë filluan të  grumbullohen dhe të  shpërndahen në mënyrë të organizuar në vitin  1994,  në Nju-Jork. Pikërisht atë vit një grup  aktivistësh vullnetarë  nga të gjitha trevat e Malësisë, pa dallim krahine, përkatësie partiake  e besimi, në përbërje  Tomë Nikë Camaj,  Gjon Gjeto Ivezaj, Leonard Gjon  Berishaj, Vasel Pjetër Ulaj, Lekë Gjelosh Gjolaj, Gjon Pashko Dedivanaj, Zefë Gjekë Kalaj, Avdi Rrustem Nikaj, Zeqir ( Zeko) Beqaj, Pashko Nikollë Nikprëlaj, Palokë Gjergj Vulaj, Mark Gjon Nucullaj, Palokë Gjergj Vulaj, Zef Ujk Lulgjuraj, Gjergj Nua Junçaj dhe Zef Lubo  Gjokaj,  themeluan Fondin Humanitar “ Malësia”me seli në Nju-Jork.   Në Kuvendin e Parë Zgjedhor kryetar   u zgjodh  aktivisti  dhe veprimtari  Tomë Camaj. Fillimi ka qenë  paksa i vështirë, por me punë dhe angazhim konkret arritën ta themelojnë dhe ta vënë në binar  këtë  fond humanitar. Natyrisht se kjo nuk mund të bëhej  pa përkrahjen e shumë mërgimtarëve të tjerë nga Malësia, ndaj edhe u jemi mirënjohës të gjithë atyre  që derdhën mundin, djersën dhe sakrificën që ky fond të vihet në themele të forta dhe të  luaj rolin e tij humanitar, ashtu siç është përcaktuar me statutin e vet.

 Themelimi i  këtij fondi u bë kështu  një  vatër e ngrohtë  humanizmi. Për   shumë vite ishte subjekti i parë me karakter humanitar  i organizuar i shqiptarëve nga Mali i Zi në Nju-Jork  i cili  vazhdimisht  ka ndihmuar pa ndërprerje  vendlindjen në mënyra të ndryshme të veprimtarisë së  vet,  aq sa kanë pasur mundësi dhe pse, siç thonë ata, ka merituar të ndihmohet më .

Brenda  njëzet e pesë viteve të ekzistimit  të  këtij fondi , tashmë  Shoqatës “ Malësia e Madhe”, e cila lindi para disa vitesh si rezultat i bashkimit të dy shoqatave malësore “ Fondit Humanitar “ Malësia” dhe Shoqatës “ Dedë Gjo’ Luli”  e drejtuan  atë me sukses  këta  vullnetarë bamirës :  Gjon Dedvukaj, Gjon Ivezaj, Lekë Gjolaj, Vasel Ulaj, Kolë Cacaj, Leonard Berishaj, Mqark Berishaj,  Ejll Berishaj dhe Nikollë Junçaj.

Veprimtaria e kësaj shoqate është e bujshme. Ajo mund të shkruhet vetëm në një monografi, për të cilën  themeluesit, drejtuesit dhe veprimtarët e saj duhet të mendojnë në të ardhmen. Prandaj unë me këtë rast  të këtij përvjetori  dua të sjell  në vëmendje lexuesit  me pak fjalë se kjo shoqatë  për dy dekada e gjysmë   ka qenë shumë aktive dhe gjithmonë e lidhur me fatin e  Malësisë, duke punuar përherë për të mirën e saj , duke dhënë kontribut të pakursyer me ndihma financiare në  përmirësimin e  objekteve të ndryshme infrastrukturore, arsimore, kulturore, sportive e fetare. Veprimtarinë e saj e ka vazhduar  me ndihma financiare  familjeve në varfëri ,  të sëmurëve  me sëmundje të rënda,  personave me aftësi të kufizuara, nxënësve e studentëve në universitete shqiptare , për të vijuar më pas kontributin e saj   edhe në organizimin politik, shoqëror e kulturor të Malësisë .

Kjo shoqatë tashmë jo vetëm se është bërë një “ magje”   dhe një dritare shprese  për shumë nevojtarë  të kësaj trevë të lashtë shqiptare , por  njëkohësisht është bërë  kontribuuse edhe për bashkimin   e faktorit politik në Malësinë e Madhe. Përveç aktiviteteve dhe humanizmit veprimtaria e saj  në periudha të caktuara është shtrirë  edhe në rrafshin mbarëkombëtar,  kur është fjala për çështjen kombëtare. Këtë e ka dëshmuar  në disa raste , me pjesëmarrjen e disa aktivistëve të dalluar në protesta e demonstrata të organizuara para Kombeve të Bashkuara, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, në  përpjekjen e saj për liri e pavarësi,   dhe së fundmi në protesta  në Uashington  kundër , siç janë shprehur organizatorët, diskriminimit të shqiptarëve në Mal të Zi, sikurse  edhe në ndihmesën e saj financiare Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Vlen të përmendet se kryetari aktual i kësaj shoqate Nikollë Junçaj vullnetarisht ( e jo si antëar i shoqatës)    para  20 vitesh la jetën e mirë dhe mundësitë e mëdha që i ofroi Amerika  dhe u bë pjesë e UÇK-së në kuadër të Batalionit “ Atlantiku”  , duke sakrifikuar gjithçka  për çlirimin dhe  lirinë e Kosovës. Madje, përveç Junçajt  në radhët e UÇK-së ishin edhe njëmbëdhjetë  të rinj të tjerë  shqiptaro-amerikan  në Nju Jork e Detroit nga Malësia.   Gjatë veprimtarisë së saj shoqata   është vizituar nga personalitete të jetës politike, kulturore e publike nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria.

Duke shfletuar dokumentet arkivore të kësaj shoqate vërejmë   se shuma e përgjithshme e mjeteve financiare   dedikuar Malësisë  arrin shifrën prej  afro 2 milionë dollarë amerikanë.  Në arkivin e saj , ndër të tjera, mund  të shohim e të gjejmë aktivitete, organizime, manifestime, dhe gjithçka që japin vulën e një veprimtarie të mirëfilltë të një organizmi të mërgatës së Malësisë në Nju-Jork.      

Kryesia e Shoqatës “ Malësia e Madhe” tashmë është bërë një shembull i mirë për të gjithë shqiptarët se si duhet të punohet e ndihmohet. Emri i kësaj shoqate, sidomos kontribuuesit e  saj të përkushtuar   ndër vite me mish e me shpirt, janë emra  që po futen (nguliten)   në kujtesën e malësorëve dhe të shqiptarëve si njerëz humanë e  atdhetarë të cilët po lënë porosi dhe gjurmë të thella  për brezat e ardhshëm.  

error: Të drejtat e rezervuara !!