Gjonaj: Deputetët e parë shqiptarë në Malin e Zi shumëpartiak

0

Në zgjedhjet e 9 dhjetorit 1990  kanë marrë  pjesë edhe shqiptarët në Mal të Zi, pasi për herë të parë  formuan subjektin e tyre politik – Lidhjen Demokratike  në Mal të Zi, me kryetar Mehmet Bardhi.  

Gjekë Gjonaj

 Kuvendi themelues i saj u mbajt me 9 shtator 1990 në Tuz-Malësi , në kohën e turbullirave  të mëdha politike dhe shoqërore te ne. Qëllimi parësor e kësaj lëvizjeje  shqiptare me program kombëtar e demokratik,  e cila u mirëprit nga shumica e shqiptarëve në Mal të Zi, ishte artikulimi i  kërkesave politike të shqiptarëve , duke u bërë  nismëtare e proceseve të pluralizmit, që ishin në nismë jo vetëm në ish-republikat e Jugosllavisë, por edhe   në vendet e bllokut të atëhershëm socialist.

Formimit të LD në MZ i parapriu themelimi i Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, në muajin gusht të të njëjtit vit, si subjekt jo partiak. Meritë e këtij Forumi  është  hartimi  dhe shpallja e Memorandumit Special të Shqiptarëve në Mal të Zi,  të cilin më vonë LD në MZ do t’a bëjë pjesë të Platformës dhe Programit të vet politik.

Lidhja Demokratike në Mal të Zi përfitoi zemrat  e të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët me masivitet   u votua në  zgjedhjet parlamentare të 9 dhjetorit 1990 në të gjitha vendvotimet në viset shqiptare. Ky subjekt politik i shqiptarëve nuk doli e vetme në këto zgjedhje por garoi në koalicion me Partinë e Aksionit Demokratik në Mal të Zi dhe Partinë  e Barazisë. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmoi se LD në MZ  arriti të fitojë 4  ulëse në Parlamentin e Malit të Zi.  Ky ishte  suksesi më i madh  i përfaqësimit  politik të  një subjekti politik shqiptarë  në Kuvendin e Malit të Zi që nga viti 1990 e deri më  sot. Këtë rezultat brilant nuk e arriti asnjë subjekt politik shqiptar në Mal të Zi që nga  vendosja e pluralizmit politik në shtetin malazez.

Përveç  4 deputetëve nga radhët e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në legjislaturën e parë të Kuvendit pas rënies së sistemit komunist ishin edhe  katër deputetë të tjerë shqiptarë nga radhët e subjekteve politike joshqiptare. Ja,  cilët   ishin  deputetët e parë  shqiptarë  në parlamentin malazez  pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë: 

  1. Gjergj Gjokaj  – Titograd – Koalicioni Demokratik
  2. Mustafë Çapuni – Ulqin  – Koalicioni Demokratik
  3. Xheladin Zeneli – Ulqin,   deri më 24.2.1992 ( dorëhiqet)- Koalicioni Demokratik
  4. Skender Hoxha – Ulqin,  nga 31.3.1992 – Koalicioni Demokratik
  5. Tahir Peraziqi – Ulqin- Koalicioni Demokratik
  6. Gjergj Berishaj – Titograd – Bashkimi i Forcave Reformiste
  7. Skender Elezagiq – Ulqin  – Bashkimi i Forcave Reformiste dhe
  8. Frano Dedvukaj – Titograd- Lidhja Komuniste e Malit të Zi.

Në zgjedhjet e para parlamentare u konfirmuan  dhjetë lista të cilat i paraqitën dhjetë parti politike veç e veç ose  në koalicion dhe kandidatë të pavarur. Pragun për hyrjen në Kuvendi   e arritën   vetëm  katër   lista zgjedhore.

Në këto zgjedhje Lidhja Komuniste e  Malit të Zi  doli bindshëm e para , duke fituar  171.000 vota , apo  83   nga 125 ulëse në Kuvendin e Malit të Zi.

Bashkimi i Forcave  Reformiste   të Jugosllavisë për Mal të Zi  fitoi 17 ulëse dhe u rëndit  si fuqia e dytë në Parlamentin e Malit të Zi. Ky subjekt politikë përbëhej nga këto parti: Partia Socialiste e Malit të Zi, Lidhja  Liberale e Malit të Zi, Partia Socialiste e Malit të Zi, Partia Socialdemokrate,  Organizata e Pavarur e Komunistëve, dhe  Partia e Barazisë Nacionale.

Partia Popullore e Malit të Zi  doli e treta në këto zgjedhje, duke fituar 13 ulëse në Parlamentin e Malit të  Zi.

Koalicioni Demokratik , i cili përbëhej nga  Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Partia e Aksionit Demokratik në Mal të Zi dhe Partia e Barazisë , u rëndit si fuqia e katërt  në Kuvendin e Malit të Zi me  12 vende.

Partia Politike,   Lidhja Komuniste    e Malit të Zi, me vendim të  Kongresit të 11-të , të mbajtur  më 22 qershor 1991,  ndërron emrin  e partisë politike në  Partia Demokratike e  Socialistëve e Malit të Zi.  Kongresi  në të njëjtën kohë vendosi  që kandidatët e Lidhjes Komuniste në organe e pushtet janë zgjedhur në  zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi në vitin 1990.  Kështu  deputetët e Lidhjes Komuniste, në këtë përbërje të Kuvendi njëdhomësh,  pas ndryshimit të emrit të partisë,  vazhduan  mandatin e deputetit si deputet të Partisë Demokratike të Socialistëve.

Krijimi i një rendi të ri pluralist në Mal të Zi nuk nënkuptonte një shkëputje të plotë nga socializmi sepse në partitë e asaj periudhe, në përgjithësi nuk vërehej ndonjë ndryshim i mirëfilltë i ndarjes nga socializmi.  Pas zgjedhjeve të mbajtura në dhjetor të vitit 1990, qeveria e re e pranoi demokracinë, sistemin shumëpartiak, liritë dhe të drejtat e njeriut, por edhe në qeverinë e re të themeluar në janar të vitit 1991 akoma dominonin elementet autoritare karshi elementeve demokratike, pasi Mali i Zi ishte në federatë me Serbinë.

error: Të drejtat e rezervuara !!