Përgjegjësia politike e pakicës

0

Koha për reflektim

Ligji aktual për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve në Mal të Zi është shumë nën nivelin demokratik e përfaqësues të pakicave se para pavarësisë së shtetit malazez, madje është në kundërshtim me Konventën Kuadër dhe Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Popullit Pakicë në Mal të Zi dhe si i tillë është degradues.

Hajrullah Hajdari

Shumica e shteteve kanë në përbërjen e popullsisë së tyre një apo më shumë grupe apo pjesëtarë të kombëve të tjera, të cilët karakterizohen me identitetin e tyre etnik, gjuhësor apo edhe fetar. Një analizë e bërë tregonte se vetëm 9.1% e shteteve kanë mundur të konsiderohen si “etnikkisht të pastra“; në 23.5% të tyre, grupi kryesor etnik përbënte vetëm 50-74% të popullsisë, ndërsa 29.5% grupi më i madh nuk kishte më tepër se gjysmën e popullsisë. Llogaritej se në 30.2% të shteteve, popullsinë e përbënin pesë ose më shumë grupe sinjifikante etnike, në të cilin grup, sipas kësaj përllogaritjeje, do të bënte pjesë edhe Mali i Zi.

Respekti i ndërsjellë midis vetë pakicave dhe midis pakicave dhe popullit shumicë si dhe respekti për identitetin e secilit prej tyre (pakicë apo shumicë) paraqet cilësinë e  shumëllojshmërisë multietnike dhe multikulturore të shoqërisë globale.

Në shtetet e demokracisë perëndimore, të formuara si shtete shumëkombëshe ose në principe etnike, popujt shumicë ose pakicë dhe pakicat që jetojnë aty, të vetëdijshëm për marrëdhëniet e ndërlikuara në mes shumicës dhe pakicës si dhe rrezikut që mund të rrjedhë nga ato marrëdhënie, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë lëshime dhe kompromise të ndërsjella duke arritur një model të caktuar të bashkekzistencës. Megjithatë, shumë herë, lëshimet dhe kompromiset as nga shumica dhe as nga pakica nuk kanë qenë të menjëhershme, të lehta apo krejtësisht të vullnetshme. Sidomos, kohëve të fundit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, lëshimet dhe kompromiset e tilla kanë ardhur si rezultat i presioneve nga të huajt, e shumë rrallë apo asnjëherë si rezultat i lëshimeve apo kompromiseve të tyre.

Shqiptarët në Mal të Zi jetojnë dhe veprojnë në një territor homogjen si popullatë autoktone, që nga Kongresi i Berlinit, duke kaluar nëpër udhëkryqe të rrezikshme të rregullimeve të ndryshme shtetërore, Mbretërisë së Malit të Zi, Mbretërisë SKS, RSFJ-së, Bashkësisë Shtetërore Serbi-Mali i Zi dhe së fundi në shtetin e pavarur të Malit të Zi, i cili pa përkrahjen dhe kontributin e shqiptarëve vështirë se do të krijohej ndonjëherë. S’do mend se përkrahja e shqiptarëve për shtetin e pavarur të Malit të Zi ishte rrjedhojë e ngjarjeve dhe situatës politike në shtetet e ish-Jugosllavisë, e shprehur në dëshirën për t’u shkëputur njëherë e mirë nga kthetrat e vendit të kasapit të Ballkanit –Serbisë, që u solli aq shumë të këqija shqiptarëve kudo që jetonin, e sidomos dëshirë për të kontribuar pavarësisë së Kosovës, por edhe shpresë për një trajtim më të drejtë me qëllim të realizimit sa më shpejt të të drejtave politike të tyre.

Shteti i Malit të Zi, si shtet shumënacional apo shumetnik, pa marrë parasysh modelin demokratik të rregullimit shtetëror apo përbërjes kombëtare apo etnike të popullatës,  pretendon se është shtet i qytetarëve dhe se të drejtat e popujve pakicë duhet të rregullohen sipas diktatit të shumicës, gjithmonë duke aluduar në infrastrukturën ligjore në fuqi. Megjithatë, Mali i Zi duke respektuar detyrat dhe obligimet e përcaktuara në Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale (Mali i Zi është nënshkrues i kësaj konvente), ka nxjerrë Ligjin mbi të Drejtat dhe Liritë e Popujve Pakicë, sipas të cilit popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera të pakicave nacionale dhe pjesëtarëve të tyre, krahas të drejtave të parapara me rregullat ndërkombëtare të pranuara në përgjithësi dhe kontratave ndërkombëtare të ratifikuara, u sigurohen të drejta të plota të cilat nuk mund të jenë më pak se të arriturat, në të njëjtat kushte dhe kanë si qëllim sigurimin e barazisë së tyre reale me shtetasit e tjerë (neni 5). Thënë ndryshe, ekziston pretendimi se Mali i Zi i ka krijuar kushtet themelore (së paku në letër) për pjesëmarrjen efikase të pjesëtarëve të pakicave nacionale në jetën kulturore, social-ekonomike dhe në punët publike, sidomos të atyre aspekteve që është interes i tyre, sigurisht duke pasur parasysh përfaqësimin proporcional në organet shtetërore dhe publike qoftë ajo edhe në formë e diskriminimit pozitiv. Pra, shumica i paska plotësuar obligimet ndaj pakicës. Prandaj, kësaj radhe dëshiroj që të fokusoj vëmendjen tonë vetëm në hapësirën kohore që nga pavarësia e Malit të Zi deri në ditët e tanishme. Po i përmendim vetëm disa.

Përfaqësimi politik i qytetarëve, pra edhe i pakicave, arrihet në bazë të sistemit

zgjedhor të lirë, transparent e demokratik. Siç është e njohur, ligji aktual për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve në Mal të Zi është shumë nën nivelin demokratik e përfaqësues të pakicave se para pavarësisë së shtetit malazez, madje është në kundërshtim me Konventën Kuadër dhe Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Popullit Pakicë në Mal të Zi dhe si i tillë është degradues.

Punësimi i shqiptarëve në organet publike shtetërore akoma është shqetësues dhe

as për së afërmi nuk i përgjigjet përfaqësimit proporcional. Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare nuk mundëson përdorimin e lirë në të gjitha nivelet, madje as në vendbanimet me shumicë të konsiderueshme, dhe nga ky aspekt nuk ka përmirësime, madje është nën nivelin e periudhës së Jugosllavisë së Titos.

Përdorimi i gjuhëve të pakicave (lexo: gjuhës shqipe) është regresiv. Komunikimi i organeve lokale me ato qendrore bëhet vetëm në gjuhën malazeze, thirrjet dhe aktgjykimet në gjyqet komunale (ku popullsia shqiptare është shumicë) bëhen po ashtu vetëm në gjuhën malazeze, ani pse kjo çështje është në kundërshtim me infrastrukturën ligjore, ndërkombëtare dhe të brendshme, në fuqi.

Plan-programet mësimore të gjuhës shqipe, historisë dhe lëndëve të shkathtësisë

nuk kanë ndonjë përmirësim të dukshëm, ndërkaq informimi në gjuhën shqipe është vërtet diskriminues.

Ajo çka është më shqetësuese për shqiptarët në Mal të Zi, është fakti se edhe pas

30 viteve demokraci e 13 viteve pavarësi, zhvillimi ekonomik i vendbanimeve shqiptare, përkundër resurseve të volitshme natyrore, ka stagnuar, mungojnë investimet kapitale e strategjike dhe si rrjedhojë është aktivizuar edhe më shumë boshatisja e vendbanimeve shqiptare.

Brezi kufitar i të Mirave (të zezave) Detare ka mbetur i njëjti, si askund në bregdetin malazez, ani pse funksionin më të lartë drejtues në Ndërmarrjen Publike akoma e mbajnë partitë shqiptare në koalicion me qeverinë. Të ardhurat nga kjo zonë derdhen në buxhetin e shtetit e jo në buxhetin lokal.

Edhe këto pak fakte të përmendura, nga njëra anë tregojnë qartë dekadencën e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, natyrisht në krahasim me kohën, ndërsa nga ana tjetër po ashtu tregojnë qartë (mos)përkujdesjen e shtetit malazez ndaj shqiptarëve dhe vlerësimin e tyre për kontributin (për të mos thënë shërbimin) e shqiptarëve për pavarësinë e Malit të Zi. Por duhet theksuar se, tanimë, pushteti qendror nuk mund të jetë fajtor për (mos)realizimin e buxhetit, për (mos)investimet kapitale lokale, për kaosin në infrastrukturë (rrugë lokale, veprimtari komunale, komunikacion…) dhe kjo jo vetëm për faktin se pushtetmbajtësit lokalë dhe partitë politike shqiptare qeverisin në të gjitha nivelet bashkë, por edhe për faktin se ata janë përgjegjës ligjorë të funksionimit të pushtetit vendor, por edhe përgjegjës ndaj votuesve të tyre, të cilët i votuan për të (mos) lidhur koalicion me partinë-shtet. S’ka dyshim se kjo gjendje është e lidhur ngusht, së pari me relacionet e partive politike shqiptare dhe liderëve të tyre në marrëdhënie në mes tyre dhe pastaj në marrëdhënie me pushtetin. Pushtetarët e Malit të Zi janë të vetëdijshem se përderisa në krahun e tyre kanë një apo më shumë parti politike të pakicave, para faktorit ndërkombëtar janë krejtësisht në rregull dhe kështu para tyre paraqiten se po ndërtojnë vërtet një shoqëri të hapur demokratike e bazuar në veprimin e së drejtës dhe institucioneve demokratike të cilat mundësojnë respektimin e standardeve më të mira në sferën e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kjo alibi Malit të Zi i nevojitet tani më së tepërmi pasi gjendet në procesin e negociatave për hyrjen në BE. Për këtë arsye, këtë situatë subjektet politike shqiptare, pa marrë parasysh divergjencat, duhet ta shfrytëzojnë e të reflektojnë drejt e për interes të përgjithshëm e të lënë interesat individuale të tyre.

Bashkëpunimi pa kushte, në fillim, i vetëm një partie politike shqiptare e tani pothuaj i të gjitha partive politike shqiptare, me pushtetin e Malit të Zi, nuk u solli ndonjë gjë të mirë shqiptarëve. Përkundrazi, të drejtat dhe liritë e popullsisë pakicë stagnuan. Prandaj është më se e nevojshme vënia në lëvizje e vetëdijes dhe ndërgjegjes, e politikës në përgjithësi e në veçanti e partive politike shqiptare në koalicion me shtetin dhe përfaqësuesve të tyre politikë, qoftë në parlament apo qeveri. Me urgjencë duhet të inicohet ngritja e institucionit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies së të zgjedhurve para votuesve të vet. Mbase kjo iniciativë duhet të përqafohet edhe nga vetë pushteti qendror pasi në këtë mënyrë do të fuqizonte përgjegjësinë e pakicës ndaj shumicës si parakusht i realizimit të qëllimeve të veta.

Për realizimin e këtyre parimeve, popullit shqiptar në Mal të Zi i mungon një stretegji e përbashkët politiko-ekonomike, zhvillimore, një plan veprues për të gjitha vendet e banuara me shqiptarë. Mu për këtë arsye duhet të inicohet që Këshilli Nacional i Shqiptarëve të jetë funksional dhe bartës i aktiviteteve të përmendura, ndërsa partitë politike shqiptare duhet të miratojnë një platformë të veprimit të përbashkët në marrëdhënie me popullin dhe shtetin.

Koha është për reflektim, përndryshe qëndrimi në koalicion me partinë-shtet në të gjitha nivelet është kohë e humbur. Është koha që edhe pakica të marrë përgjegjësitë e veta, që të zgjedhurit e popullit shqiptar në organet ligjvënëse e ligjzbatuese të shqyrtojnë me seriozitet të plotë funksionimin e shtetit ligjor në marrëdhënie me shqiptarët dhe si rrjedhojë arsyeshmërinë e qëndrimit në ato organe. Fatkeqësia më e madhe është humbja e kohës. Nëse mbetet koha për më vonë, është vështirë për ta gjetur (Gazaliu).

Pavendosmëria është një cilësi morale, kurse inati është sëmundje. Njeriu i pavendosur, në veprimet e veta ndikohet shumë nga të tjerët. Kjo cilësi bëhet shkak që detyrat tona ndaj vetes dhe ndaj atyre qe na besuan mandatin e përfaqësimit  të mos kemi mundësi t’i kryejmë në rregull. Mundësitë e reflektimit janë të mëdha, natyrisht, nëse do të zbatohen premtimet, programet politike e mbi të gjitha normat ligjore. Njeriu kur mendon se do të përgjigjet për çdo veprim të tij, reflekton dhe vepron në të mirën e përgjithshme.

error: Të drejtat e rezervuara !!