Markoviq: Malazezët në Kosovë dhe shqiptarët në Mal të Zi, urë e fortë evropiane

0

Bashkëpunimi i mirë ndër-fqinjësor është bazë për qëllimet e përbashkëta të Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat janë të orientuara që t’i përkasin strukturave evropiane, ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

“Malazezët në Kosovë dhe shqiptarët në Mal të Zi janë dy shtyllat mbi të cilat qëndron ura e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona. Së bashku do të kujdesemi që ajo të mos jetë një urë e paqëndrueshme ballkanike, por një urë e fortë evropiane”, ka thënë Markoviq.

Markoviq, tha se ka kënaqësinë që me kryeministrin Haradinaj të bisedojë për raportet bilaterale në mes dy shteteve dhe, hapja e Qendrës Zhvillimore, është dëshmi e një miqësie thelbësore dhe të përhershme me Kosovën, si respektim i vlerave të tyre, që janë vlerë e përbashkët euroatlantike dhe multietnike mes dy vendeve.

​Haradinaj: Raportet me Malin e Zi janë model për rajonin

Haradinaj deklaroi se Kosova dhe Mali i Zi janë model i marrëdhënieve të shkëlqyera në rajon, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta euro-atlantike dhe vizionin e të ardhmes prosperuese në paqe të përhershme.

Në këtë takim kryeministri Haradinaj potencoi rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi dhe partneriteti me vendet e rajonit, në të mirë të zhvillimit të këtyre vendeve dhe të ardhmes së përbashkët evropiane.

Sipas tij, Kosova është e përkushtuar që të avancojë me marrëdhënie bilaterale me Malin e Zi edhe në fusha të interesit të përbashkët dhe takimi i sotëm është dëshmi e fortë e këtij orientimi. 

Kryeministri Markoviq, po qëndron për vizitë në Kosovë, me ftesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Përveç takimeve me liderët institucional të Kosovës, Markoviq mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të autostradës “Arbër Xhaferi”.

Fotografia e Vlada Crne Gore


error: Të drejtat e rezervuara !!