SHKA “Rapsha” përgatit dramën në vigjilje të shënimit të 50- vjetorit të Besëlidhjes së Malësisë

0

Shoqëria kulturore-artistike “Rapsha” i është rikthyer vazhdimit të projektit të cilin e kishte filluar që nga muaji janar, por që e pezulluan për shkak të pandemisë, për të vënë në skenë dramën “Në besë të kësaj shtëpie” e cila i dedikohet vitit jubilar të pesëdhjetë vjetorit të Besëlidhjes së Malësisë.

Kryetari i SHKA “Rapsha” David Junçaj për gazetën “Koha Javore” tregon për qëllimet e këtij projekti dhe se kur do ta shfaqin këtë dramë të përgatitur nga aktorë amatorë por me mjaftë përvojë në skenë.
“Ky projekt ka të bëjë drejtpërdrejt me mbajtjen e besës, përcjelljen e gjaksorit dhe faljen e gjakut. Qëllimi i realizimit të këtij projekti është që përmes shfaqjes së kësaj drame të rikujtojmë ngjarjet e pesëdhjetë viteve më parë, ku burrat e Malësisë u mblodhen dhe morën vendim që të lidhin besën kundrejt gjakëmarrjes e cila ishte një plagë jashtëzakonisht e rëndë për gjithë Malësinë dhe shqiptarinë. Pra, përmes këtij projekti, dëshiruam që të kremtojmë 50-vjetorin e Besëlidhjes së Malësisë, një ngjarje e cila pati jehonë të madhe në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët”,- u shpreh kryetari i SHKA “Rapsha”, David Junçaj.
Ai tha se varësisht nga situata që do të krijohet në vazhdim, do të vendoset edhe caktimi i vendit të shfaqjes të kësaj drame dhe mbajtja eventuale e një koncerti pas shfaqjes, por kjo sipas tij varet nga rrjedha e situatës epidemiologjike në vend.
“Shfaqja e kësaj drame fillimisht ka qenë e përcaktuar që të jepet ditën e mbajtjes së Besëlidhjes, pra me 28 qershor, por për shkaqe tashmë të njohura u shty për në fillim të muajit gusht, natyrisht, nëse krijohen kushtet e organizimit, në të kundërt, ajo do të shfaqet deri në fund të vitit kalendarik”- shprehet Junçaj.
Ndërkohë, ai shpalosi dhe disa nga planet më të afërta të shoqatës që drejton, duke potencuar kështu pjesëmarrjen në festivalin virtual “Anadrini Folk” i cili organizohet për herë të parë në trojet shqiptare.
“Do të organizojmë si zakonisht tashmë në mënyrë tradicionale edhe Logun e Vitojës me rastin e festës së Shën Gjonit si dhe aktivitete të tjera, varësisht nga situata e krijuar në vend”- përfundon kryetari i SHKA “Rapsha”, në këtë prononcim për gazetën “Koha Javore”- David Junçaj. /KohaJavore/

error: Të drejtat e rezervuara !!