Kadare anëtar i jashtëm i Akademisë Malazeze

0

Shkrimtari i madh bashkëkohor, i konsideruar edhe si një ndër shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, Z. Ismail Kadare e vizitoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, të premten më 20 shtator.

Shkrimtari eminent i letërsisë shqipe Z. Ismail Kadare, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Znj. Helena Kadare, nga pronari i Shtëpisë Botuese “Onufri” në Tiranë, Bujar Hudhri dhe nga redaktori i librave shqip në Entin e Botimit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë, Dimitrov Popoviq është pritur nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Z. Dragan Vukçeviq.

Ismail Kadare gjatë kësaj vizite është takuar dhe ka biseduar edhe me anëtarët e kësaj akademie, me akademikun, Gjorgje Borozan, me akademikun, Pavle Pejoviqin, akademikun, Zuvdija Hoxhiqin, me akademikun Jevrem Brkoviq dhe me Pavle Goranoviqin , anëtar i asociuar i ASHA –kut i Malit të Zi.

Ndërkohë, gjatë këtij takimi kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, Z. Dragan Vukçeviq, i ka dorëzuar Z. Kadare kartën për anëtarësimin tij në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, i përzgjedhur për anëtar të jashtëm të kësaj akademie më 18 shtator të vitit 2018.

Ndërkaq, pas këtij takimi shkrimtari Ismail Kadare i prononcuar për mediat e pranishme, u shpreh se ndjehet tejet i lumtur që ndodhet midis kolegëve të tij malazezë, duke thënë se ai përherë e ka ndjerë afër letërsinë e Malit të Zi, qoftë të vjetrën apo të renë.

“Është hera e tretë që vij këtu dhe jam shumë i gëzuar për faktin se çdoherë që vi e shikoj se vendi përparon”, theksoi Kadare në një prononcim të shkurtër për media.

I pyetur nga gazeta “Koha Javore” për Çmimin prestigjioz “Pak Kyongni 2019”, me të cilin u nderua së fundmi nga Koreja e Jugut në mesin e 350 shkrimtarëve nga e gjithë bota,  Z. Kadare e vlerësoi lart këtë çmim të njohur botëror, duke thënë se është kënaqësi e madhe kur arti dhe letërsia jonë bien në sytë e publikut botëror.

Ky çmim pritet të shoqërohet me një shpërblim monetar prej afro 84 mijë dollarësh. Ceremonie ndarjes së këtij çmimi është parashikuar të mbahet me 26 tetor, në Qendrën Kulturore “Toyi” në Korenë e Jugut.

Në të njëjtën kohë, kreu i ASHA – kut, Dragan Vukçeviq në prononcimin për media ka thënë se kultura është rruga më e rëndësishme ndërmjet shoqërive, popujve dhe shteteve të ndryshme.

“Në këtë rrugë, një ndër urat më të rëndësishme është ajo të cilën e ndërtojnë artistët. Më vjen mirë që njëri ndër artistët e mëdhenj jo vetëm të Shqipërisë dhe të letërsisë shqiptare por edhe të Ballkanit dhe Evropës, Z. Ismail Kadare, i dorëzuam sot kartën e anëtarësimit për anëtar të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi. Në këtë mënyrë ASHA shprehet se është mirënjohës dhe e hapur për të gjithë ata që këtë çmim e meritojnë, pavarësisht dallimeve që na ndajnë”, u shpreh kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Z. Dragan Vukçeviq.

“Unë besoj se për intelektualët, atdheu i vërtetë është kultura. Ardhja e zotit Kadare në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi është një ndër ata hapa në rrugën drejt afërsisë dhe të mirëkuptimit ndërshtetëror të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, përfundoi Vukçeviq.

Ismail Kadare ka lindur më 1936 në Gjirokastër. Është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përjetshëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me “Prix Mondial Cino Del Duca”; më 2005 fitoi “Man Booker International Priz”e, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin “Jeruzalem”, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”.Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

                                                                                                                                                                                                               /KohaJavore/t. u./

error: Të drejtat e rezervuara !!