Fundjavë, si asnjëherë më parë në Malësi

0

Shkuan, Gjokë Dukaj

Fundjava në Malësi, si asnjëherë më parë; s’shihet njeri në rrugë, s’dëgjohet zë as zhurmë makinerie në tokë as punime tjera, pothuajse gjithçka është ndalur. “Mirëmëngjesi,  mirëmbrëma, si jeni, si ja kaloni?”, me fqinjë, të afërm e të njohur, vetëm përmes telefonit. Brenda, në familje me dyshim e droje në ruajtje të distancës  nga më të dashurit e vet se… nuk i dihet! S’ka temë tjetër;  bisedë as diskutim, lavd as ankesë përveç ajo që është temë në mbarë planetin, Covid-19! E mbi të gjitha – SHPRESA! “Bâhet mirë”, është thënë gjithherë në këto hapësira. Në momente e periudha të rënda, në varfëri e kohëra të rrezikshme, por gjithherë me shpresë e besim për të nesërme më të mirë.

Dita e tretë në gjendjen e izolimit në trevën e Malësisë, u përcjell me të vetmin interesim në pritje të rezultateve më të reja nga testimet e rasteve tjera eventualisht të infektuara me Covid19. Të bazë  të dhënave  të fundit nga Instituti i shëndetit publik, në komunën e Tuzit, aktualisht janë vërtetuar  edhe 4 raste të reja të infektuar  me Covid-19, respektivisht 31 raste të vërtetuara  deri më tani. Ekipet mjekësore, vazhdojnë me testimin e banorëve  të dyshuar se ishin në kontakt me personat e infektuar , ngjashëm sikur në gjithë Mal të Zi, ku deri më tani janë vërtetuar 81 raste të infektuara me coronavirus, prej të cilëve, komuna e Tuzit, me 31 raste të vërtetuara është komuna me numrin më të madh të infektuarve. Ndërkohë, furnizimi  i banorëve të Malësisë me bukë është i përditshëm e, po ashtu, edhe për nevojat tjera për ç’gjë është në dispozicion Shtabi komunal për situata të jashtëzakonshme . Në situatën e krijuar, humanizmi i njerëzve tonë, solidariteti me njerëzit në nevojë dhe zemërgjerësia e afaristëve, shoqatave dhe individëve të shumtë janë duke u dëshmuar si rrallëherë më parë. Sidomos, nga bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim;  shoqata, fondacione dhe individ të shumtë, janë duke ndihmuar vendlindjen, të afërmit dhe bashkëvendësit e vet. Edhe krahas situatës së krijuar kudo që jetojnë bashkëkombësit tonë, ata janë duke ndarë kafshatën e  gojës për të ndihmuar bashkëvendësit në nevojë.

Urojmë që kudo që jetoni, të përballeni sa më lehtë me situatën e  krijuar, të normalizohet sa më parë gjendja dhe të takohemi sërish në sezonin e pushimeve verore, tradicionalisht në Malësinë tonë të bukur.   

error: Të drejtat e rezervuara !!