Opozita bllokon sërish Kuvendin, hedh gaz – Arrestohet Fisnik Ismaili

0

Sikundër dhe kishte paralajmëruar, opozita ia ka dalë sërish të bllokojë seancën plenare në Kuvendin e Kosovës.

Përkundër masave të shtuara dhe kontrolleve të imtësishme nga sigurimi, deputetët ia kanë dalë të fusin në ambjentet e Kuvendit gazin lotësjellës, duke e shpërndarë që në minutat e para të seancës.

Më se tre muaj opozita është duke bllokuar seancat duke kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka deklaruar se, nuk mund të ketë një zhvillim normal të jetës parlamentare pas arrestimit të Albin Kurtit ditën e shtunë.”Ky pushtet po tenton ta shtypë opozitën me dhunë. Këta kanë marrë masa policore shtesë në Kuvend. Ne nuk do ta lejojmë mbajtjen e seancave të Kuvendit. Arrestimi i Albin Kurtit ishte fundi i demokracisë”, ka thënë Konjufca.

Policia e Kosovës ka arrestuar deputetin e Vetevendosjes Fisnik Ismailin. Ky është deputeti i tretë i opozitës që u arrestua. Donika Kadaj – Bujupi dhe Albin Kurti po mbahen të burgosur. Ndërkohë, rreth 30 aktivistë të tjerë të opozitës janë duke u mbajtur të burgosur për shkak të aktiviteteve opozitare kundër “Zajednicës”.

error: Të drejtat e rezervuara !!