Budva, Bushati e Pacolli “përplasen” me Bosnjen dhe Serbinë (Video)

0

Punimet e ministerialit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor nuk kanë qenë edhe aq të qeta.

Ka qenë ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka kërkuar një ndryshim të vogël në deklaratën e përbashkët të ministrave të WB6. Ky propozim nuk është pritur aq mirë nga ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Igor Crnadak dhe përfaqësuesi serb në takim.

Sipas Ministrisë së Jashtme, kërkesa e Pacollit për respekt të ndërsjellë për Kosovën në zbatimin e marrëveshjes CEFTA është mbështetur nga homologu shqiptar, Ditmir Bushati. Mësohet se ministri i Jashtëm shqiptar ka kërkuar një vendimmarrje pozitive për kërkesën e Pacollit, duke bërë thirrje për kompromis.

Debati ka vijuar dhe më tej, teksa ministri i Jashtëm shqiptar ka theksuar se nëse Bosnja dhe Serbia nuk tregojnë mirëkuptim, atëherë dhe për Shqipërinë dhe Kosovën është shumë e lehtë të kthehen tek qëndrimet kombëtare, por kjo nuk i shërben kompromisit.

“Nëse për Serbinë e Bosnjen përbën problem futja e respektit të ndërsjellë në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, atëherë Shqipëria qëndron në krah të Kosovës dhe nuk pajtohet me asnjë deklaratë tjetër”, mësohet të ketë thënë Bushati sipas Ministrisë së Jashtme.

Takimi i Budvës së WB6 i përfundoi punimet duke dalë me një tekst të përbashkët, tekst për të cilin nga pala shqiptare u insistua që të miratohej me konsensus pas kundërshtimit të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës për të pranuar ndryshimet e propozuara nga Kosova.

Pacolli – homologut të tij boshnjak: Ju e ofenduat vendin tim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj homologut të tij boshnjak Igor Crnadak, të cilit ndër të tjerash i tha se Bosnja e ka ofenduar Kosovën.

Këto deklarata Pacolli i bëri gjatë qëndrimit në Budvë të Malit të Zi, ku po mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Mësohet se ky reagim i Pacollit erdhi kur homologu i tij boshnjak e kritikoi Kosovën për taksën 100%, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur ndaj prodhimeve serbe. Me këtë rast Pacolli ka reaguar duke ia përmendur Crnadakut mosnjohjet dhe kufizime që Bosnja ka vendosur ndaj Kosovës.

“Ju e keni ofenduar vendin tim, por ne ju respektojmë juve dhe Bosnjën. Na trego, sa kamionë i lejoni të hyjnë në Bosnjë? Asnjë. A e respektoni dokumentacionin tonë, i cili e shoqëron mallin nga Kosova në Bosnjë? Jo, nuk i pranoni e as nuk i respektoni. A i njihni vulat tona? Jo nuk i njihni. A mund të vijnë kamionët tanë në BiH me tabela të Kosovës? Jo nuk mund të vijnë”, ka thënë Pacolli.

Pacolli po ashtu i tha Crnadakut se përkundër kësaj, Kosova nuk po tregon reciprocitet ndaj Bosnjës ndaj këtyre kufizimeve.

“Ne i pranojmë mallrat tuaja, dokumentacionin dhe vulën tuaj, ne i pranojmë kamionët e pasaportat tuaja, i kemi pranuar të gjitha këto. A e di Igor, se edhe ju duhet ta respektoni faktin që Kosova është shtet i pavarur, i cili është pranuar nga dy të tretat e shteteve të botës dhe ju duhet ta respektoni këtë. Në të ardhmen ne duhet të kemi vetëm reciprocitet”, ka thënë Pacolli.

Pas kësaj, Pacolli i ka thënë homologut boshnjak se ai mund të vijë sa herë të dojë në Kosovë, raporton KosovaPress.

error: Të drejtat e rezervuara !!