Nimanbegu dorëzoi në Kuvendin e MZ Ligjin për ndryshimin e Ligjit mbi rendin dhe qetësinë publik

0
Të nderuar,
të gjithë kemi përjetuar befasi të pakëndshme dhe dëshpërim me rastin e ndalimit të qytetarit S.V. në Ulqin, për shkak të valëvitjes së simbolit tonë kombëtar në automjetin e tij personal në Ditën e Flamurit Kombëtar, më 28 nëntor 2018.
Këtë incident e vlerësoj si mohim i të drejtës themelore për shprehjen e identitetit kombëtar dhe përgjegjësinë nuk e ka thjesht njësia e policisë në Ulqin, por për këtë edhe vet Ministria duhet të japë shpjegime dhe arsyetime të mirëfillta.
Në Mal të Zi sipas Kushtetutës dhe Ligjit mbi Simbole Kombëtare në fuqi, përdorimi i simboleve kombëtare për qytetarë është i lirë plotësisht. Ky veprim hedh një hije të rëndë mbi kompetencën dhe sinqeritetit e pjesëtarëve të MPB për t’i respektuar të drejtat e pakicave autoktone, e në veçanti shqiptarëve, që siç duket janë bërë shënjestër e shpeshtë e kësaj ministri, gjegjësisht njësive të saj nëpër Komuna.( Rasti në Budva para dy viteve, Ulqin dhe Tuz para do kohe).
Kjo bëhet edhe më e dyshimtë dhe problematike, pasi që Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (që në vitin 2011 kur kryeatar ishte z. T. Tahiri, por edhe gjatë mandatit tim në vitin 2014) ka njoftuar zyrtarisht MPB se cili është simboli kombëtar i shqiptarëve në Malin e Zi.
Për këtë incident dhe për mosrespektim e të drejtave të garantuara me Kushtetutën e MZ dhe me Konventa ndërkombëtare, dje më 29 Nëntor 2018, e kam njoftuar Delegacionin e Këshillit të Evropës (CoE) që gjendet në misionin vëzhgues në Mal të Zi..
Gjithashtu Ministrit Nuhoxhiq i jam drejtuar me letër proteste, me të cilën kam kërkuar përgjegjësi për këtë veprim.
Më në fund, sot më 30 nëntor, në procedurë në Kuvendin e MZ e kam dorëzuar Ligjin për ndryshimin e Ligjit mbi rendin dhe qetësinë publike, me të cilin do të eliminohet cdo mundësi e vlerësimit subjektiv e nenit 23 të ligjit nga nëpunësit policorë, dhe do të evitohet qoftë edhe mundësia që individi të merret në pyetje për përdorimin e simboleve kombëtare.
Incidenti në fjalë është incidenti i radhës i krijuar nga njësia policore në Ulqin, dhe me këtë rast shkarkimi i përgjegjësve është diçka që pres si rezultat të reagimit të Ministrisë.
me respekt,
Genc Nimanbegu, deputet i “Shqiptarëve të Vendosur”
nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
error: Të drejtat e rezervuara !!