Ekspertët: Nuk kishte shkelje në shënimin e kufirit Kosovë – Mali i Zi

0

Shënimi i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është bërë në përputhje të plotë me ligjet dhe konventat ndërkombëtare dhe Kosova nuk ka humbur territor.

Kështu kanë vlerësuar tre ekspertët ndërkombëtarë të komisionit ad-hoc, të cilët për dy javë kanë takuar të gjithë përfaqësuesit politikë, ekspertët vendorë dhe banorët e zonës kufitare.

“Pas hulumtimit tonë konstatuam që Komisioni Shtetëror i Kosovës ka patur një bazë të fortë ligjore dhe për shkak të këtij fakti ne kemi vlerësuar se nga aspekti ligjor, procesi i punës së komisionit ka qenë i vlefshëm”, ka deklaruar eksperti amerikan Fletcher M. Burton.

Pasi ka pranuar raportin e ekspertëve ndërkombëtarë, presidentja Jahjaga ka bërë thirrje për respektimin e tij. “Ftoj institucionet e Kosovës dhe spektrin politik që të reflektojnë dhe t’i marrin parasysh këto vlerësime dhe rekomandime”, ka deklaruar Jahjaga.

Tre ekspertët ndërkombëtarë për demarkacionin, amerikani Burton, gjermani Herbert Wilmes dhe britaniku Fred Newton u angazhuan nga presidentja para dy javësh, për të adresuar shqetësimet e ngritura nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe banorët e zonës kufitare.

Ndaj raportit të ekspertëve ndërkombëtarë nuk ka pasur ndonjë reagim nga opozita, ndërsa qeveria përmes një komunikate për shtyp ka vlerësuar punën e grupit ad-hoc, duke theksuar se dokumenti i hartuar prej tij ka konfirmuar përfundimet e Komisionit Shtetëror, por edhe ato të bëra më parë nga Departamenti amerikan i Shtetit.

error: Të drejtat e rezervuara !!