Mbyell dyertë,një ndër lokalet më të njohura të vendtakimeve të shqiptarëve në Bronx

RESTORANTI I BASHKATDHETARIT GJERGJ  DEDVUKAJ, DY DEKADA NË SHËRBIM TË KOMUNITETIT SHQIPTAR

( Mbyell dyertë një ndër lokalet më të njohura të vendtakimeve të shqiptarëve në Bronx- NY, që njëherit ka kryer punën e një qendreje kulturore )

Shkruan Xheladin Zeneli

Të gjithë ata bashkatdhetarë që vizitojnë shpesh lagjën e njohur në Bronx, në rrugën “Arthur Avenue” e kanë vërejtur se një ndër vendtakimet më të njohura shqiptare në Diasporën e SHBA-ve, respektivisht të New York-ut me rrethe, që nga muaji Janar i këtij viti, i ka mbyllur dyert e veta. Pra,bëhet fjalë për restorantin “Giovanni’s”, pronë e bashkatdhetarit tonë  dhe aktivistit të njohur të çështjes kombëtare, z. Gjergj Dedvukaj.

Për 20 vite me radhë restoranti ” Giovanni’s” shërbeu si qendër e aktiveteteve të shumta kombëtare. Këtë lokal e kanë vizituar shumë personalitete të jetës politike amerikane si për shembull, George W. Bush (kandidat i atëhershëm për president të Amerikës), ish governatori i New York-ut, George Pataki, ish kryebashkiaku i NY, Rudi Giuliani, znj. Hillary Clinton, senatorë e kongresistë amerikanë etj.,si dhe personalitete të jetës politike  dhe kulturore të shoqërisë shqiptare ,jo vetëm nga diaspora por edhe nga Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët.

Restoranti i z. Dedvukaj në Bronx për një kohë të gjatë kreu punën e një qendre kulturore të shqiptarëve . Aty u organizuan mbrëmje festive, aty u mbajtën tubime fondmbledhëse me qëllime të ndryshme humanitare apo kulturore, promovime të librave të ndryshëm të autorëve shqiptarë, pritje të personaliteteve të dalluara nga vendlidja dhe atdheu me rastin e vizitave të tyre në New York, etj. Z. Dedvukaj si themelues dhe udhëheqës i Ansamblit Artistik ” Bashkimi Kombëtar”, shpeshëherë e ktheu lokalin e tij në vend ku përgatitej programi  dhe ku pjesëtarët e këtij Ansambli zhvillonin provat, para shfaqjeve të tyre artistike në komunitet apo gjetiu.  Gjithashtu, z. Dedvukaj , si një ndër themeluesit e Shkollës  Shqipe në Bronx,  sjellte në lokalin e tij, zakonisht ditën e Shtundeve (pas orarit të tyre mësimor) nxënësit shqiptar për të mësuar këngët dhe vallet shqipe si pjesë e programit muzikor të kësaj Shkolle .

Mu për arsyen se restoranti në fjalë u bë vendtakim i njohur për pjesëtarët e komunitetit shqiptar në New York me rrethe, sidomos vend i tubimeve dhe mbledhjeve të organizatave ,shoqatave dhe fondacioneve të këtij komuniteti, pronari Gjergj Dedvukaj e shëndrroi një  pjesë të lokalit të tij, në hapësirë private enkas për mbledhje dhe tubime ,pra për nevojat e komunitetit shqiptar, pa kurrfarë kompenzimi ndaj atyre që e shfrytëzonin. Z. Dedvukaj këtë dhomë e pagëzoi me emrin ” Dhoma e Kombit”, ku në murin e saj dallohej harta e Shqipërisë Etnike si dhe fotografi të figurave tona historike e kombëtare. Në këtë Dhomë u mbajtën me qindra mbledhje të organizatave dhe shoqatave të ndryshme të komunitetit shqiptar, ku u muarën vendime të rëndësishme historike, posaçërisht lidhur me ndërgjegjësismin dhe lobizmin e çështjes së Kosovës. Aty u bë organizimi i demostratave dhe protestave gjatë  gjysmës së dytë të viteve “90-ta të shekullit të kaluar, kurse pas vitit 2000 e deri në mbyllje ( Dhjetor 2015),  kanë  vazhduar mbajtja e mbledhjeve  të organizatave shqiptare, por tani duke diskutuar dhe shqyrtuar edhe çështja e pazgjidhur e trevave të tjera shqiptare si ajo e Çamërisë, Iliridës ( shqiptarëve në Maqedoni), shqiptarëve në Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve nën Mal të Zi ) dhe mënyrat e ndryshme e përkrahjes së bashkombasve të vet në vendlidje dhe në atdhe.Krahas kësaj, janë shqyrtuar edhe çështjet që preokupojnë Disporën Shqiptare në Amerikë dhe organizimi i aktiviteteve të shumta të saja.

Në restorantin e z. Dedvukaj kanë gjetë mikpritje shqiptarë pa dallim ideje, partije apo krahine. Në të vertetë, Gjergjit iu bënte “zemra mal” kur në restorantin e tij shihte të grumbulluar bashkatdhetarë me prejardhje nga të gjitha trojet e Shqiptarisë si adhurues i zjarrtë i bashkimit kombëtar dhe i Shqipërisë së Bashkuar.

Jam i bindur se kumuniteti shqiptar do t’a ndijejë mungesën e restorantit ” Giovanni’s”, posaçërisht do t’a ndijejë mungesën e ” Dhomës së Kombit” si vend i takimeve dhe i aktiviteteve të ndryshme kulturore dhe kombëtare të kësaj pjese të Diasporës Shqiptare . Kurse të gjithë ne ,do t’a ndiejmë mungesën e mikpritjes së ngrohtë shqiptare dhe zemërgjërësinë së z. Dedvukaj dhe stafit të tij shqiptar.

Shpresojmë që tani do të përshpejtohet dhe intensifikohet angazhimi i komunitetit shqiptar në realizimin e Qendrës Kulturore Shqiptare në New York, si nevojë, prioritet dhe domosdoshmëri e kohës.

Me këtë rast dëshiroi të falenderoi dhe shprehi mirënjohje të thellë  z. Gjergj Dedvukaj për kontributin e tij të shquar dhe ndihmën e tij të veçantë në ofrimin e lokalit të tij në dispunim dhe në shërbim të
komunitetit shqiptar të New York- ut dhe më gjërë, për 20 vite me radhë.

 

Shperndaje