Siç ka shkruar e përditshmja DAN ditë më parë, Lidhja Demokratike Shqiptare ishte në bisedime për daljen në zgjedhje në Podgoricë në alenacë me SDP të Ranko Krivokapiq dhe Demos të Miodrag Lekiq. Deri te marrëveshja nuk ka ardhur dhe LDSH me një deklaratë të lëshuar sot fton në bojkotim të zgjedhjeve.
E vetmja parti shqiptare e cila ka dorëzuar listën për zgjedhjet e Podgoricës është Alternativa Shqiptare e cila nuk e mori në koalicion LDSH-në, por veç e ftoi ta përkrahi atë.
Interesant është fakti që LDSH refuzon të përkrahi listën e vetme shqiptare që garon në Podgoricë dhe fton shqiptarët të bojkotojnë zgjedhjet.
Kumtesa e LDSH-së:
Siç e di opinioni i gjerë, LDSH i ftoi subjektet e tjera politike shqiptare, për të përkrahur një kandidat të përbashkët, por të pavarur që, sipas analizave dhe vlerësimeve tona, ishte e vetmja mundësi që garantonte sukses dhe faktorizim të shqiptarëve që jetojnë në Kryeqytet, edhe pas ndarjes së Tuzit (?).
Mirëpo, siç dihet tashmë, kjo nuk hasi në mirëkuptim te partitë e tjera shqiptare në Malësi. Paraqitje aq me ngut, në këto zgjedhje, e atyre që pohojnë se në shtator do të kemi komunën tonë, le hapësirë për të dyshuar se komuna e Malësisë është akoma në pritje! Shtrohet pyetja, a thua ende u kanë borxhe, për të siguruar implementimin e ligjit për komunë të plotë, apo është në pyetje ndonjë tregti e re? Kjo, për arsye se edhe përkrahja që iu bë presidentit, kohë më parë, u arsyetua me premtimin e tij për komunë!
LDSH, mbas të gjitha analizave, vëren kotësinë e daljes si e vetme në këto zgjedhje, dhe duke u bazuar në parimet programore të qarta që artikulojnë vetëm interesin e përgjithshëm të Malësisë, e jo interesat e ngushta, i fton qytetarët shqiptarë të Malësisë që së bashku t’i bojkotojnë këto zgjedhje.
Interesi ynë kryesor është që t’i përkushtohemi vetes, t’i përkushtohemi Malësisë!
Prandaj, ASNJË VOTË për PDS-në; asnjë votë për shërbëtorët e saj!
RESPEKTO VETËN – BOJKOTO!
LDSH