Kroacia nuk lejon hapjen e kapitullit 23 në negociatat e Serbisë me BE-në

Bashkimi Evropian ka hapur të enjtën kapituj të rinj të negociatave të anëtarësimit me Turqinë dhe Malin e Zi, por nuk ka arritur të hapë negociata për kapitullin 23, që merret me drejtësi, me Serbinë.

Sipas burimeve diplomatike të Bashkimit Evropian, përpjekjet e presidencës holandeze dhe të Komisionit Evropian që para fundit të qershorit të hapet një prej kapitujve kryesorë në negociatat me Serbinë, nuk ka qenë i mundur të realizohet, pasi që Kroacia nuk ka dhënë pëlqimin për një gjë të tillë.

Zagrebi ka kërkuar që në dokumentet për hapjen e këtyre negociatave të bëhen të qarta disa kushte për Serbinë, përfshirë edhe pozitën e pakicës kroate në Serbi, bashkëpunimin e plotë të Serbisë me Tribunalin e Hagës, si dhe ndryshimin e ligjit për juridiksionin për gjykimin e krimeve të luftës që ka Serbia.

Këto tri pika Kroacia i sheh si problematike dhe kërkon që Serbia të përmbushë disa kushte që paraqiten ndaj saj. Raporti i fundit i kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës, Serzh Bramertz, i cili ka thënë se Serbia nuk po bashkëpunon në mënyrë të plotë me Tribunalin e Hagës, ka keqësuar gjithashtu gjasat e Serbisë që deri më tani të përmbush të gjitha kriteret për të hapur negociatat. Burimet brenda BE-së, zyrtarisht vetëm pohojnë se nuk ka pasur konsensus mes të gjitha shteteve anëtare për t’i hapur këta kapituj, dhe se, sipas tyre, do të diskutohet në të ardhmen që të hapen kapitujt në fjalë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!