Shqipëria dhe Kosova zhvillojnë nesër mbledhjen e gjashtë ndërqeveritare

Ditën e premte, 2 tetor, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të zhvillojnë mbledhje të përbashkët në Tiranë.

Për shkak të masave anti-Covid, gazetarët nuk do të kenë mundësi ta ndjekin të gjithë mbledhjen e dy qeverive, por vetëm konferencën për shtyp.

Sipas axhendës, që Euronews Albania mundi ta shqyrtojë, mbërritja e delegacionit të qeverisë së Kosovës parashikohet të jetë në orën 11:00, ndërsa 30 minuta më vonë pritet të nisë dhe mbledhja.

Punimet e kësaj mbledhje, e cila do të jetë e gjashta në radhë prej vitit 2014, do të zhvillohen në hollin e ish-Pallatit të Kongreseve.

Sipas programit mbledhja pritet të zgjasë më pak se dy orë dhe në orën 13:00 dy kryeministrat do të mbajnë konferencë për shtyp.

Zhvillimi i mbledhjes së dy qeverive vjen pas marrëveshjes së Uashingtonit, ku Kosova ka firmosur “pro” përfshirjes në nismën e Tiranës dhe Beogradit për mini-Schengen ballkanik.

Në katër takimet e shkuara mes qeverive të vendeve ka pasur dhjetëra marrëveshje të nënshkruara, por që sipas analistëve politikë dhe ekonomikë kanë gjetur vështirësi në implementim.

Për kryeministrin Avdullah Hoti kjo do të jetë vizita e dytë në Tiranë. Më 3 korrik ai e vizitoi kryeqytetin ku sikurse deklaroi në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, diskutoi për konkretizimin e marrëveshjeve të nënshkruara më parë mes dy vendeve dhe avancimin më tej të raporteve ekonomike, sidomos në energjitikë dhe shkëmbime tregtare.

Hoti madje njoftoi se Kosovës i qe premtuar pikë doganore në portin e Durrësit, një projekt për hidrocentral dhe ngritja e një hekurudhe.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!