Autoritetet serbe lirojnë Nehat Thaçin oficerin e policisë të Kosovës

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi është liruar nga paraburgimi në Serbi.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bashmir Xhemaj, këshilltar i Ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj.

“Zoti Thaçi shumë shpejt do te vijë në Kosovë dhe do t’i bashkohet familjes”, tha shkurt Xhemaj.

Thaçi ishte arrestua më 29 shtator në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletëarresti të Gjykatës së Lartë në Nish, nën dyshime për veprën penale “të terrorizmit”.

Atij, autoritetet e drejtësisë në Serbi, i patën caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Pas arrestimit të Thaçit, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohej lirimi i menjëhershëm, dhe i kërkohej “Bashkimit Evropian që përmes mekanizmave të tij detyrues të ndërhyjë tek Qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi”. (REL)

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!