Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen për hapjen e kalimit kufitar Zogaj-Skje

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot marrëveshjen me Malin e Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar në Zogaj dhe Skje për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës.

Nga studimi i kryer nga Policia Kufitare Shqiptare, në kufirin me Malin e Zi, për lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve në zonën e Zogaj të Bashkisë Shkodër, është evidentuar se aty mund të hapet një vendkalim i ri për komunikim ndërkufitar tokësor dhe ujor, në vendin e quajtur “Zogaj/Shkodër- Kraj/Mali i Zi”. Pika e kalimit kufitar Zogaj është një pikë e përbashkët e kalimit kufitar në Bashkinë e Shkodrës, në kufirin me Malin e Zi, e cila ndodhet 11 (njëmbëdhjetë) km në veriperëndim të qytetit të Shkodrës, në bregun e liqenit të Shkodrës.

Bushati: Pika e re kufitare Shqipëri-Mali i Zi ndërlidh trevat shqipfolëse

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, duke folur në Kuvend për marrëveshjen, në cilësinë edhe të deputetit të qarkut Shkodër vlerësoi rëndësinë e  hapjes së kësaj pike jo vetëm për lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, po mbi të gjitha ndërlidhjen e trevave shqipfolëse.

Flasim për një ndërlidhje mes Shirokës, Zogajt dhe Malësisë së Krajës, apo pjesës së Tivarit, ku përgjithësisht jetojnë shqiptarë dhe është një zonë e cila ka ende mundësi për tu shfrytëzuar pozitivisht për sa i përket potencialit të  turizmit, po mbi të gjitha dhe në kuadër të bashkëpunimit që agjenci të ndryshme turistike kanë ndërmjet dy anëve të kufirit për të shfrytëzuar paketa dhe oferta turisitke të përbashkëta për turistë që dëshirojnë të vizitojnë këtë pjesë të Europës. Pra, në këtë konetkst e gjithë pjesa e liqenit të Shkodrës do të mbulohet dhe do të krijohet një akses shumë më i madh jo thjesht për banorët e zonave përkatëse po dhe për ata turistë që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Elementi i dytë dhe më i rëndësishëm, përtej asaj çfarë është rënë dakord me Malin e Zi ka të bëjë me zhvillimin e zonës.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!