Haradinaj: Korrigjojeni demarkacionin dhe do ta votojmë

Do ta votonim demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, nëse ai do të vinte i korrigjuar në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk duhet që t’i humbim të gjitha energjitë në këtë çështje. Kështu ka theksuar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Haradinaj, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ka theksuar se është e pasaktë tendenca e koalicionit qeverisës se pengesë për liberalizimin e vizave është demarkacioni i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, duke thënë se “këtë temë në pako të kushteve e kanë futur Qeveria e Kosovës”.

“Dihet se kushte kryesore të BE-së për liberalizimin e vizave, janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe administrata funksionale. Përgjegjësia për mos liberalizim është e koalicionit qeverisës, dhe nuk ka lidhje opozita në këtë temë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, insistimi i ndërkombëtarëve që të zgjidhet çështja e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, është që ajo temë të përfundojë, por jo se ku duhet të jenë kufijtë.

“Nuk mund të votojmë diçka në të cilën Kosova humb territor. Është e dëmshme për vendin një precedent i tillë. Kosova nuk ka pretendime ndaj Malit të Zi, përkundrazi ne e mbështesim rrugën euroatlantike të shtetit fqinj. Do të gëzoheshim nëse do të korrigjohej versioni aktual i demarkacionit”, ka shtuar ai.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!