WASHINGTON, DC— Demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump kanë konsoliduar shanset për emërimin e partive të tyre, duke siguruar fitore në shtete kyçe gjatë të ashtuquajturës e Marta e Madhe, dita më e rëndësishme e votimit në fazën e zgjedhjeve paraprake.
Ish-sekretarja e Shtetit, Clinton fitoi në shtetet Tenesi, Alabama, Xhorxha, Arkansas, Virxhinia, Teksas dhe Masaçusets. Rivali i saj, demokrati socialist Sanders fitoi në Vermont, Oklahoma, Minesota dhe Kolorado.
Në kampin republikan, Trump fitoi në Arkansas, Xhorxha, Alabama, Tenesi, Virxhinia, Vermont dhe Masaçusets. Senatori Ted Cruz fitoi në shtetin e tij Teksas, si edhe Oklahoma and Alaska. Senatori nga Florida Marco Rubio siguroi fitoren e tij të parë në sezonin e zgjedhjeve paraprake, në Minesota.
Rezultatet nuk ishin një befasi. Sondazhet kishin treguar se kandidatët Trump dhe Clinton kishin një epërsi të madhe në shtetet e të Martës së Madhe dhe në shkallë kombëtare. Në fjalimet e tyre të fitores, secili nga kandidatët u përqendrua tek tjetri dhe jo tek rivalët e tyre brenda partisë.