Koalicioni qeverisës në krizë

Pas dështimit të firmosjes së marrëveshjejes ndërmjet Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe, koalicioni ‘Për të ardhmen e Malit të Zi’ që përbën boshtin e shumicës parlamentare, ka lënë të kuptohet se mund të inicojë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Vëzhguesit thonë se fati i kësaj Qeverie edhe tani është në duart e liderit të grupimit ‘URA’, zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq.

Dështimi, javën e kaluar i nënshkrimit në Beograd, të një marrëveshjeje ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi, ka bërë që krerët e koalicionit qeverisës pro-serb, në Podgoricë, të kërkojnë marrjen në përgjegjësi të kryeministrit Zdravko Krivokapiq i cili, megjithëse kishte udhëtuar për në Serbi për të firmosur marrëveshjen, në momentin e fundit ishte bërë pishman. Kjo ka bërë që koalicioni i cili përfaqësohet me 26 deputetë dhe përbën dy të tretat e shumicës parlamentare të arrijë në përfundimin për ‘shkeljen e parimeve bosht të koalcionit’, ndërsa ‘Kryeministri ka keqpërdorur durimin dhe ka humbur mbështetjen,’- thuhet në një deklaratë të lëshuar të martën në mbrëmje: ‘Mosfirmosja e Traktatit themeltar (me Kishën Ortodokse Serbe), qëndrimi i pahijshëm dhe i papërgjeshëm ndaj njerëzve besimtarë dhe Kishës Ortodokse Serbe është goditja më e madhe politike për koalicionin tonë nga ana e kryeministrit,’ – thuhet në deklaratën e përbashkët duke lënë të kuptohet se do të kërkohet shkarkimi i Kryeministrit Krivokapiq.

Se tensionet politike po rriten flet dhe fakti se këtë të mërkurë shefi i qeverisë malazeze refuzoi të marrë pjesë në një seancë pyetjesh në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes duke e arsyetuar këtë me faktin se këtë e kishte bërë ditë më parë duke iu përgjigjur deputetëve me ç’rast u gjet në thumb të kritikave të atyre ‘deputetëve dhe prijësve politik të cilët krijuan listën zgjedhore të cilës i kam prirë më 30 gusht’- thuhet në reagimin me shkrim të kryeministrit malazez.

Pritet reagimi i partisë URA, kreu i së cilës Dritan Abazoviq është zëvendëskryeministër dhe deri tani është pozicionuar kah shefi i qeverisë. Aktualisht, dy janë skenarët: që vendi të çohet në zgjedhje të parakohshme ose që të krijohet një qeveri e re parlamentare.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!