“Shqiptarët të Vendosur” prezentojn programin zgjedhor (Video)

Kandidatët për deputet Geci Nimanbegu,Nik Gjeloshaj dhe Mehemet Zenka nga Lista “Shqiptarët të Vendosur” që përbëhet nga Forca-UDSH-ASH në Televizionin publik të Malit të Zi (RTCG) prezentua programi e tyre zgjedhor.

Genci-NimanbeguTë nderuar bashkëkombas,

Kam kënaqësinë t’ju drejtohem si pjesë e koalicionit shqiptarët të vendosur të përbërë prej Forcës, UDSH dhe Alternativës Shqiptare.Ky koalicion është bashkuar për një qëllim fisnik, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Malin e Zi.

Nëpërmjet këtij koalicioni ne duam t’i japim fund, diskriminimit.

Diskriminimi i vazhdueshëm politik që ka rënduar për dekada me radhë në kurriz të popullit tonë ka shkaktuar asimilimin kombëtar.Të gjithë kemi parë se si në censusin e kaluar në Mali të Zi me mijëra shtetas të malit të zi thonin që flasin shqip por nuk ndihen shqiptarë.Ne të gjithë e kemi parë se fshatra e krahina të tëra po e braktisin identitetin tonë kombëtar.Po ashtu ne jemi dëshmitarë se si diskriminimi i rëndë politik ka shkaktuar drejtpërdrejtë emigracionin më masiv në Malin e Zi.Të gjithë ne kemi motra vëllezër, prindër, dajë, teze, kushërinj që jetojnë qindra kilometra larg vendlindjes të djegur prej mallit për atdheun.

Me formimin e këtij koalicioni ne dëshirojmë të tregojmë se jemi të vendosur ti themi ndal, diskriminimit, ndal asimilimit, ndal emigracionit, ti themi PO zhvillimit,PO njerzimit PO ndienjave kombëtare me stadarde të larta përëndimore.

Ne jemi të vendosur të dëshmojmë përgjegjësi dhe të mbrojmë të drejtat e popullit shqiptar në Malin e Zi.

Askush nuk ka për të na mbrojtur neve interesat nëse ne nuk i dalim fillimisht zot vetes. Martin Luter King thoshte “askush nuk mund të të hipi mbi qafë nëse nuk përkulesh vetë”. Dhe koalicioni ynë këtu thotë me gojë plotë ne shqiptarët jemi të vendosur që të mos përkulemi.

Ne duhet të dëshmojmë vendosmëri për të mbrojtur, pasuruar e trashëguar traditat tona shekullore.
Ne do të tregojmë vendosmëri për të përdorur me krenari simbolet tona kombëtare si dhe gjuhën tonë të bukur shqipe.

Është e vërtetë që kemi pasur mundësi të bëjmë më shumë, që mbase në të kaluarën ka qenë nevojitur të punojmë më shumë.Është e vërtetë që mund të kemi bërë gabime.Por ju siguroj që nëse kemi bërë gabime ato i kemi bërë si pasojë e mungesës së përvojës jo dëshirës.Në asnjë moment nuk na ka munguar dëshira, vullneti për të shërbyer në interes të kauzës sonë kombëtare.Gjithashtu ju them me bindje të plotë se ne kemi dëshirë që së bashku të përmirësohemi, na ndihmoni të mësojmë nga ju e të ndryshojmë për të mirë.Vetë bashkimi i forcave tona në këtë koalicion, ndërkohë që në të kaluarën kemi garuar kundër njeri tjetrin është dëshmi që ne mësojmë nga pësimet.

Unë ju kërkoj që së bashku të kthejmë besimin e humbur dhe t’iu tregojmë gjeneratave të reja, që është e mundur të ndërtohet një jetë e lumtur në trojet e të parëve tanë.Është e mundur që të sigurohet zhvillimi e një jetë e mirë në këto troje me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi.Sot është e mundur fal proceseve integruese që të realizohen standardet më të larta të të drejtave të pakicës shqiptare në kuadër mbrojtjen e institucioneve dhe organizatave kryesore ndërkombëtare Evropiane.

Falë aleancës me Brukselin ne mund të shtyjmë përpara decentralizimin e mëtutjeshëm të pushtetit që pushteti të vej sa më afër qytetarëve,po ashtu po të bashkohemi e të flasim me një zë duke kërkuar ndihmën e miqve tanë do të mundësojmë krijimin e komunës së Tuzit, duke punuar më shumë së bashku ne do t’ia dalim të sigurojmë një përdorim më të përshtatshëm të të mirave detare në shërbim  në dobi të banorëve
Po ashtu duke hequr dorë nga përçarja me njëri tjetrin e duke u bashkuar ne do mund të bëjmë më shumë për të zgjidhur çështjen e pronave.

Së bashku ne duhet të angazhohemi që pronarët legjitim të kenë mundësi të përdorin dhe tiu respektohet e drejta e pronës ku do që e kanë në Valdanos, Shtojë,  Anë të Malit, në Shipçanik të Tuzit, në Parkun Nacional të Bjeshkëve të Nemuna.Po ashtu ky koalicion është i vendosur për përmirësimin e cilësisë dhe infrastrukturës së arsimit në shqip është i vendosur që të shtojë integrimin brenda komunitetit shqiptar në Mal të Zi duke eliminuar njëherë e mirë dallimet krahinore.

Njëherazi prioritet ka për të qenë forcimi i lidhjes mes shqiptarët e Malit të Zi me shqiptarët që jetojnë në shtetet e tjera fqinje për të koordinuar orientimet gjeopolitike të përbashkëta drejt aleancës së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, drejt NATOs dhe Bashkimit Evropian.

Prandaj prioritet i koalicionit tonë është dhënia kontributit sa më të madh në përshpejtimin e integrimit Euro-Atlantik të Malit të Zi.

Ne shqiptarët jemi të vendosur gjithashtu në përpjekjet për të zhvilluar e forcuar demokracinë, sundimin e ligjit, ekonominë e tregut dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave në Mal të Zi.Po ashtu edhe në përpjekjet për konsolidimin e stabilitetit dhe harmonisë ndër etnike dhe ndër fetare në Mal të Zi dhe Rajon.

Prandaj unë përfitoj nga ky rast që t’i bëj një thirrje të veçantë diasporës sonë.Ne jemi mirënjohës diasporës për kontributin e jashtëzakonshëm e me rol vendimtar në çdo etapë të popullit shqiptar, na ndihmoni ta unifikojmë trupin elektoral të shqiptarëve të Malit të Zi, jepni kontributin tuaj që të shmanget përçarja mes shqiptarëve,bëni të mundur që familjarët tuaj të dalin në votim , të marrin pjesë në jetën politike të Malit të Zi.

Mosdalja në votim, nuk është ndëshkim ndaj politikës aktuale, por është dorëzim, është nënshtrim,vetëm pjesëmarrja politike aktive dhe bashkimi gjithëpërfshirës i shërben interesit tonë kombëtar.


Nik Gjeloshaj

Të nderuar bashkëqytetarë,

Koalicioni shqiptarët të vendosur, është krijuar si një nevojë e menjëhershme përballë problemeve të mëdha sociale dhe ekonomike të popullit tonë.Diskriminimi politik që i është bërë kombit tonë ka pasur kosto të madhe ekonomike.Trojet tona janë lënë pas dore për sa i përket fondeve infrastrukturore.
Gjatë rrëgjimit jugosllav, investimet në ndërmarrje publike në zonat e banuara nga shqiptarët,ato kanë qenë shumë më të pakta se sa investimet që janë bërë në pjesë të tjera të Malit të Zi apo Jugosllavisë,kjo ka bërë që populli shqiptar në Mal të Zi të detyrohet të ketë nivelin më të lartë të emigracionit.
Ne më këtë koalicion të partive shqiptare jemi të vendosur t’i themi ndal emigracionit. Po ashtu ne jemi diskriminuar dhe vazhdojmë të diskriminohemi edhe sot për sa i përket punësimit në institucione shtetërore.Sot ne jemi populli më pak e përfaqësuar me kuadro në institucionet shtetërore në Malin e Zi ndërkohë që kemi shumë të rinj të talentuar që kanë mbaruar universitetin me nota të shkëlqyera që nuk gjejnë dot punë në institucione shtetërore.

Ne kemi shumë kuadro që mund të na përfaqësonin shumë denjësisht në administratë publike, në diplomaci, në gjyqësor, në prokurori, në polici, prandaj me punën tonë ne jemi të vendosur që të luftojmë kundër papunësisë,ne do përpiqemi që të tërheqim investime dhe të hapim vende të reja pune në zonat e banuara nga shqiptarët.

Po ashtu duke qenë bashkë, zëri ynë do të jetë më i fortë në Podgoricë, dhe me këtë zë të fortë do kërkojmë më shumë investime,rritja e investimeve në infrastrukturë në trojet e banuara nga shqiptarët do të rrisë cilësinë e jetës dhe do të sjellë lulëzimin e ekonomisë.

Ne shqiptarët jemi gjithashtu të vendosur të luftojmë kundër diskriminimit politik, në këtë mënyrë sa më shumë shqiptarë të mirë arsimuar të bëhen punonjës shtetërorë në administratë.

Ne besojmë se kemi një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi fal pasurisë natyrore.Ne jemi të bindur se bashkëkombësit tanë do mund të jetojnë në mirëqenie fal zhvillimit të turizmit.

Prandaj do të përpiqemi për zhvillimin e turizmit bregdetar në Ulqin, e atij liqenor në Krajë, e agroturizmit në Malësi dhe turizmit dimëror malor në Plavë e Guci.

Një prioritet i koalicionit tonë është ndërtimi i rrugëve të reja ndërkufitare për të lidhur më shumë shqiptarët mes njëri tjetrit,po ashtu këto projekte do të çlironin potencialin zhvillimor në këto zona.

Këto projekte janë:
Një pikë e re kufitare sipër Bunës  dhe ndërtimi i rrugës përkatëse , pika kufitare Shën Koll – Pulaj do të integrojë ofertën turistike të Plazhit të Madh me atë të Velipojës, po ashtu ne propozojmë ndërtimin e një pike të re kufitare anës Liqenit të Shkodrës dhe rrugën e saj përkatëse, pika e re kufitare Zogaj – Skje do të integrojë ofertën turistike të bregut të liqenit të Shkodrës dhe nxjerrë nga izolimi krahinën e Krajës.Një tjetër projekt me rëndësi është pikë kufitare në Malësi dhe rruga që duke kaluar në Vermosh do na lidhi me Gucinë, pika kufitare Gabrom – Cem i Trieshit do e bëjë zonën e Malësisë pjesë të tranzitit ndërkombëtar.Një tjetër pikën kufitare me rëndësi për të lidhur shqiptarët është ajo e Vranicës, Bëhet fjalë për lidhjen Plav -Hot– Cerem- Bajram Curri që e nxjerr Plavën nga izolimi dhe e lidh me Shqipërinë nëpërmjet Tropojës.I tillë është edhe promovimi i rrugës Plav – Deçan që gjithashtu do shërbejë për t’i nxjerrë shqiptarët nga izolimi.

Në kuadër të programit tonë zhvillimor një rol të veçantë do të zërë përmirësimi I cilësisë së arsimit mes shqiptarëve.Ne do të theksojmë në mënyrë të veçantë arsimin profesional vetëm nëpërmjet përmirësimit të arsimit burimet humane shqiptare do të jenë më konkurrente dhe të suksesshme në Mal të Zi.

Koalicioni ynë do të punojë me këmbëngulje edhe për nxitjen e bujqësisë dhe blegtorisë, zhvillimi i bujqësisë do të ndihmojë për të ulur papunësinë dhe varfërinë në zonën rurale.Nxitja e prodhimit bujqësorë që do të siguroj lëndë të parë për zhvillimin e një industrie ushqimore konkurruese për të plotësuar nevojat e vendit por edhe për eksport.

Së fundmi në kuadër të programit zhvillimor të koalicionit tonë prioritet është forcimi i lidhjeve me diasporën
Nëpërmjet kësaj lidhje ne do të mundohemi të tërheqim investime të drejtpërdrejta prej tyre por edhe për ta pasur diasporën si destinacion eksportesh.


mehemet-zenkaTë dashur bashkombas,

Ne kemi formuar koalicionin më të madh të partive shqiptare në Mal të Zi për të faktorizuar shqiptarët në politikën e këtij vendi, partitë tona shtrihen kudo ku ka shqiptarë në Malin e Zi dhe përfaqësojnë më së miri interesat e popullit shqiptar në këto vise.

Koalicioni ynë është formuar si përgjigje e thirrjeve dhe kërkesave tuaja për tu bashkuar.

Për vite me radhë ne kemi dëgjuar se përçarja na dobëson dhe bashkimi bën fuqinë, sot ne jemi ndërgjegjësuar se tanimë që jemi shumë të paktë e të vegjël përkundrejt etnive të tjera në Mal të Zi, ne nuk mund t’ja lejojmë vetes që dallimet krahinore apo fetare të na zbehin identitetin kombëtar.

Ne e kuptojmë se vetëm nëpërmjet bashkimit të kapaciteteve njerëzorë dhe përafrimin e programeve politike do mund të bëjmë që zëri ynë të dëgjohet. Ne jemi të bindur se ato që na bashkojnë janë shumë më të shumta dhe të rëndësishme se gjerat që na ndajnë.Prandaj vendosëm që të linim mënjanë inatet hatërmbetjet apo ndasitë tona të vogla për tu bashkuar për një kauzë më të madhe,motivi kryesor i bashkëpunimit tonë është përmirësimi i gjendjes se shqiptarëve ne trojet e veta autoktone nëpërmjet faktorizimit të  plotë të politikës shqiptare ne Malin e Zi.

Të nderuar qytetarë, sikurse e dini, sistemi elektoral në mal të zi është i tillë që bën që përçarja e faktorit shqiptar të shkaktojë një kosto shumë të madhe politike për ne.

Në zgjedhjet e kaluara ne e kemi tretur një deputet pikërisht sepse ishim shumë të përçarë, copëtimi ynë është vetëm në interes të armiqve tanë, të atyre që duan të keqen e shqiptarëve, tash e një kohë të gjatë ne kemi harxhuar shumë energji e kohë duke garuar kundër njeri-tjetrin, në vend që këtë energji e kohë ta kishim shpenzuar për të interesat tona të përbashkëta e kemi harxhuar kundër njeri tjetrit.

Ka ardhur koha që të gjithë të kuptojmë se interesat dhe problemet e shqiptarëve janë të shumta dhe kërkojnë angazhimin serioz të të gjithëve,ne të gjithë kemi parë kërcënimin dhe dëmet që sjell ndarja krahinore dhe fetare të cilat ne duam t’i paraprijmë me këtë koalicion.

Ky koalicion do të përpiqet që të forcohet lidhja jo vetëm mes shqiptarëve të krahinave të ndryshme të Malit të Zi por edhe më gjerë, ne do përpiqemi që të integrohemi e lidhemi më shumë me shqiptarët që jetojnë në shtetet e tjera dhe nëpërmjet kësaj lidhje të përmirësohet bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në rajon.

Ky koalicion do të luaj një rol konstruktiv në konsolidimin  e shtetit të Malit të Zi dhe proceset e demokratizimit në vend dhe në integrimet Euro Atlantike,ne jemi të ndërgjegjshëm që përparimi i shpejtë i Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkim Evropian do të garantojë të drejtat tona kombëtare dhe përmirësojë cilësinë e jetës.

Së fundmi unë dua t’ju siguroj që ky koalicion do të shtrihet edhe më gjerë dhe më thellë në të ardhmen përtej këtyre zgjedhjeve parlamentare, ne tashmë e kemi shtrirë bashkëpunimin edhe në zgjedhjet lokale të komunës së Gucisë ku do të garojmë si listë e përbashkët zgjedhore, të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale kur të bëhet fjalë për Ulqinin, Tuzin e Tivarin.

Prandaj ne ftojmë të gjithë shqiptarët që janë të vendosur për unifikimin e faktorit politik shqiptar në Mal të Zi që të bashkohen me ne.

Për të shikuar videon klikoni KËTU

Shperndaje