Këshilli i prindërve në prag të procesit gjyqësor me SHF ”Mahmut Lekiq”

KËSHILLI I PRINDËRVE NË PRAG TË PROCESIT GJYQËSOR ME SHF “MAHMUT LEKIQ”

AVOKATI: Dr. ANGJELL GOJÇAJ
_____________________________________________________________________________________________
IP SHKOLLA FILLORE “Mahmut Lekiq”

Tuz, 01.10.2017

LËNDA: VËREJTJE PARA PADISË

Zotërinj të nderuar,

U drejtohem në rolin e të ngarkuarit fuqiplotë të Këshillit të prindërve të shkollës Tuaj, me qëllim të
gjetjes së zgjidhjes përmes marrëveshjes, e gjitha me qëllim të rregullimit të drejtë dhe ligjor të programit mësimor
për nxënësit në gjuhën shqipe.

Siç jeni në dijeni, nxënësve të shkollës Tuaj në lëndët e “gjuhës italiane” dhe “edukatës fizike” u është
mohuar e drejta për ta ndjekur mësimin në gjuhën amtare, gjegjësisht në gjuhën shqipe.

Duke u nisur nga fakti se Kushtetuta e Malit të Zi në nenin 75 ka paraparë që garantohet e drejta e
shkollimit në kushte të njëjta, pastaj me nenin 8 është i ndaluar çdo lloj diskriminimi. Gjithashtu se në nenin 79 të
kësaj kushtetute, në alinenë 4, është e paraparë që pakicat kombëtare kanë të drejtë shkollimi në gjuhën dhe
shkrim -leximin e vet në institucionet shtetërore. Më tej, me Ligjin për të drejtat dhe liritë e pakicave të Mali i Zi,
neni 13, qartë parashihet se “popujt pakicë dhe pakicat e tjera nacionale dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të
shkollohen në gjuhën e vetë amtare”, dhe se këto nene janë elaboruar qartë edhe në Ligjin për arsim dhe edukim
fillor.

Dëshiroj t’u theksoj se obligimi i shtetit, gjegjësisht i institucionit publik – shkollës që pjesëtarit –nxënësit
nga radhët e popullit pakicë t’i mundësojë mësimin në gjuhën e vetë amtare nuk nënkupton mundësi fakultative,
por se shteti është i obliguar pa përjashtim të sigurojë dhe garantojë mësimin në gjuhën e vetë. Shkolla juaj është
e obliguar që mësimi në të gjitha lëndët të zhvillohet në gjuhën shqipe, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për
gjuhët e huaja apo jo. Në rast se mungon kuadri arsimor për lëndë të caktuara në tregun e brendshëm të punës,
shkolla gjithmonë ka mundësi të sigurojë mësimdhënësit nga rajoni, dhe në fund të fundit nëse shkolla nuk është
në gjendje të sigurojë kuadër as nga rajoni atëherë është e obliguar të angazhojë përkthyes nga gjuha zyrtare në
gjuhën shqipe, nga lista e përkthyesve gjyqësor të Malit të Zi, i cili do të kishte obligim të përkthente nga gjuha
zyrtare në gjuhën shqipe, dhe kështu nxënësve do t’u mundësohej mësimin në gjuhën shqipe.

Faktet dhe provat tregojnë se shkolla Juaj diskriminon nxënësit në gjuhën shqipe, ashtu që për shkaqe të
paarsyeshme, juridike dhe faktike, drejtpërdrejt bëni dallime dhe veproni në mënyrë të pabarabartë, gjegjësisht
nuk veproni sipas ligjit ndaj nxënësve që e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në raport me nxënësit që mësojnë në gjuhën zyrtare.

E gjitha kjo prodhon edhe një fakt tjetër- përjashtimin e përdorimit të gjuhës amtare dhe kështu
në mënyrë të drejtpërdrejtë diskriminoni nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe. Duke pasur parasysh aktet dhe
veprimet tuaja, nxënësit në këtë shkollë i keni sjellë në pozitë të pabarabartë me nxënësit tjerë që mësojnë në
gjuhën zyrtare.

Duke pasur parasysh gjendjen faktike të precizuar mund të shihet se IP shkolla fillore “Mahmut Lekiq” bën
diskriminim ndaj nxënësve në gjuhën shqipe, siç parashihet me Ligjin për ndalimin e diskriminimit , janë krijuar të
gjitha kushtet ligjore për ngritjen e padi penale në Gjykatën themelore në Podgoricë, si gjykatë kompetente, nëse
nga ju do të refuzohet ky propozim. Gjithashtu, janë krijuar të gjitha kushtet për paraqitjen e iniciativës, gjegjësisht propozimit në inspektoratin kompetent, detyra e të cilit është mbikëqyrja e punës në institucione publike.

Theksojmë që ndryshimet e kushteve të konkursit dhe përshtatja e tyre për vendin e punës së arsimtarit paraqet
vepër penale, në bazë të Kodit penal të Malit të Zi.

Në rast se paraqitet padia në gjykatën dhe në inspektoratin, lënda e padisë nuk do të ishte vetëm
vërtetimi i diskriminimit të nxënësve nga ana juaj, por do të hynte edhe në kompensimin e dëmit dhe kamatave
përkatëse, si dhe në shpenzime të tjera rreth sigurimit të dokumentacionit, shpenzimeve gjyqësore, marrja në
pyetje e dëshmitarëve e tj.

Këshilli i prindërve më 18.9.2017, duke u bazuar në Ligjin mbi qasje të lirë në informata, ka kërkuar t’i
bëhet transparent dhe t’i jepet një kopje e vendimit mbi sistematizimin e vendeve të punës. Ua bëjmë me dije se
deri në ditën e dorëzimit të kësaj vërejtjeje nuk keni vendosur mbi këtë kërkesë të prindërve, dhe u rikujtojmë se
në pajtim me ligjin keni afat prej 15 ditësh, e nëse kjo nuk ndodh në afatin e paraparë do të ndërmarrim hapat të
mëtejmë ligjorë. Me veprimet Tuaja diskriminuese të deritashme keni prodhuar bojkotin e mësimit në lëndën e
gjuhës italiane dhe është paralajmëruar edhe bojkoti i përgjithshëm i mësimit dhe kërkesa për shkarkimin e
drejtorit si përgjegjësin kryesor, nëse ky problem nuk do të zgjidhet .

Kuptimi i ankesës dhe vërejtjes është drejtuar për zgjidhjen e situatës në të mirë të të dyja palëve dhe me
rrugë paqësore, pa angazhimin e gjyqit, sepse nëse do të jemi të detyruar të paraqesim padi në Gjykatën
themelore në Podgoricë, kjo për ju do nënkuptojë shpenzime të mëtejshme për procesin gjyqësor, për pagesën
taksave gjyqësore, shpenzimet e avokatit, shpenzime e ekspritzës.

Për këtë arsye propozojmë që, në afat prej 7 ditësh nga marrja e propozimit dhe vërejtjes, të kontaktoni
avokatin Dr. Angjell Gojçaj, me qëllim që të arrihet marrëveshja eventuale për zgjidhjen e situatës në pajtim me
ligjin.

Me respekt,

Dr. Angjell Gojçaj, avokat

Fotografia e Anton Gjokaj

 

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!