Abrashi në formacionin ideal të Europës me Ronaldo e Higuain

Amir Abrashi në “Formacionin më të Mirë” të javës në Europe. Mesfushori i Kombëtares është përfshirë në 11-shin ideal të ligave më të forta kontinentale nga “France Football”. Kuqeziu qëndron përkrah disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar. Duke nisur nga ylli i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo dhe për të vazhduar me dyshen e Juventusit, mbrojtësin Bonuçi dhe sulmuesin Gonzalo Higuain.

Amir Abrashi priti plot 12 muaj për të festuar golin e radhës te Freiburg, që ishte edhe rrjeta e parë në Bundesligën gjermane. “Pitbulli” u vlerësua si lojtari më i mirë në fushë, në fitoren 3-1 që skuadra e tij regjistroi përballë Werder Bremen.

Fillimisht kuqeziu u përfshi në formacionin ideal të javës së 9-të të Bundesligës, ku përkrah tij ishte edhe kuqeziu i Koln, Mërgim Mavraj, ndërsa tashmë erdhi edhe vlerësimi në rang kontinental. Sipas “France Football” Abrashi bën gjithçka i vetëm për të qenë motori i mesfushës së Freiburgut.

Në “Formacionin më të Mirë” të javës në Europë, përkrah Abrashit në mesfushë ndodhen edhe nigeriani Victor Moses i Chelsea-t, polaku Karol Linetty i Sampdoria-s dhe belgu Yannick Carrasco i Atletico Madrid, që përballë Malagas realizoi dy gola, për një total prej 6 rrjetash në harkun e 15 ditëve.

Në sulm, përkrah Gonzalo Higuain që i shënoi ish-skuadrës së tij, Napolit në përballjen me Juventusin dhe Cristiano Ronaldos, autor të tre golave në fitoren 4-2 të Realit të Madridit ndaj Deportivo Alavés, rreshtohet edhe Anthony Modeste. Sulmuesi i Koln ka marrë edhe epitetin “Uragani i Bundesligës”, me francezin që përballë Hamburgut realizoi tre golëshin e parë personal në elitën e futbollit gjerman.

Abrashi

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!