Shqiptarët duhet të mbeshtesin subjektet nacionale nëse duan të sfidojnë asimilimin politik

Nail Draga

Në mjediset me traditë demokratike, diversiteti në skenën politike vlerësohet si vlerë e demokracisë parlamentare, ndërsa e kundërta ndodhë në vendet të cilat kanë qenë pjesë e ish- kampit socialist në Evropën Juglindore, të cilat vuajnë nga sindromi i monizmit edhe në pluralizëm. Pikërisht, një qasje e tillë në sajë të pabarazisë praktike shtetërore ka ndikuar që popujt e ndarë kanë formuar partitë e tyre politike, të cilat janë në mbrojtje të identitetit kombëtar të popullit përkatës.

Lufta speciale kundër partive nacionale
Në Mal të Zi çështja e pluralizmit politik të pjesëtarët e popujve pakicë ka pasur defektet e veta, sepse ata nuk kanë trashëguar përvojë politike dhe kuadro të përgatitura për tu ballafaquar me sfidat e kohës. Pikërisht, nga një qasje e tillë, në mungesë të infrastrukturës partiake partitë politike të popujve pakicë nga themelimi i tyre në vitin 1990 e më pas, vazhdimisht janë ballafaquar me vështirësitë funksionale, si nga anëtarësia e tyre por edhe nga ana e pushtetit. Përfaqësimi i popujve pakicë me përfaqësuesit e tyre autentikë nuk ishte sipas vullnetit të pushtetit, duke bërë çmos që të dëmtojnë kohezionin politik të elektoratit votues shqiptar në Mal të Zi, i cili në zgjedhjet e para pluraliste(9.12.1990) mbështeti në mënyrë plebishitare subjektin politik nacional(LDMZ). Pikërisht pas këtyre zgjedhjeve e më pas të elektorati votues shqiptar filloi luhatja e dekompozimi i tyre që u dëshmua në praktikë pas, vitit 1998. Kemi të bëjmë me dekompozimin në nivel të pushtetit qendror, me ndarjen e DPS-it në dy pjesë që ishte në favor të demokracisë parlamentare, që ndikoj të elektorati votues shqiptar. Është pikërisht kjo kohë kur pushteti filloi të veproi për të rikthyer “besimin” tk elektorati i humbur shqiptar duke u paraqitur si shpëtimtar i tyre, por me retorikë pluraliste, duke mbështetur ish vasalët e pushtetit monist të cilët ishin të përshtatshëm për pushtetin si në kohën e monizmit. Kësaj kategorie i janë bashkangjitur edhe karrieristët e ndryshëm dhe të tjerë për interesa të ndryshme personale, të cilët janë angazhuar për mbështetjen nga elektorati votues në zgjedhje.

Nihilizmi nga injoranca politike
Në favor të këtij konstatimi nga 1998 e më pas qarkullon një propagandë speciale me moton se nëse bëhet koalicion me partinë malazeze(DPS) atëherë ma mirë e votoj vetë atë, sesa përmes partisë shqiptare e cila bën koalicion me të, e me pas vota ime shkon atje.
Deklaratat e tilla përhapën nga injorantët politikë, të cilët nënçmojnë subjektet nacionale dhe si duket janë bërë pishman që kanë votuar me herët partinë nacionale. Kësaj dukurie i japin iso ata të cilët janë pjesë e strukturave të pushtetit apo votojnë partitë malazeze. Ndikimi i tillë është me mundësi reale te personat e luhatshëm, sidomos te intrigantët të cilët iu besojnë premtimeve të qarqeve të ndryshme shtetërore.
Nuk ka dilemë se çdokush përgjigjet për votën e vet, por është e pahijshme të veprohet në këtë formë dhe të nxitët një propagandë e tillë!

Kostumi sipas shijes personale
Sepse, thënë më qartë, çdo kush e vesh kostumin sipas shijes personale e jo me kostumin qe ia servirë dikush tjetër. Dhe është pikërisht ai kostum që e bën të dallohet në atë mjedis. Por, nëse i dorëzohet partisë malazeze, aty ai është pjesë e tyre e jo e identitetit personal me kostumin e tij. Madje ata mund ta akuzojnë se një kostum i tillë nuk është me ngjyra sipas shijes së partisë së tyre. Andaj, për të qëndruar aty i patrazuar i duhet ose ti përshtatet rrethanave të reja ose të largohet nga ai grupim politik.

Identiteti dhe partneriteti
Nga dukuria e tillë del qartë se kemi të bëjmë me dallimet konceptuale identitare, sepse votimi i partisë nacionale, paraqet identitetin kombëtar dhe në vehte ka partneritetin, çështje e njohur në mjediset multinacionale e multikulturore. Ndërsa tek votimi i drejtpërdrejtë në partinë qytetare-malazeze nuk kemi të bëjmë me partneritetin, por humbjen e identitetit gjoja për kauzën qytetare, që është politikë perfide e pushtetit që shkon në drejtim të asimilimit politik të pakicave kombëtare.

Autoritarizmi dëmton partinë politike
Në këtë refuzim politik dhe pakënaqësi nuk ka dilemë se rol negativ kanë pasur udhëheqësit e partive politike nacionale të shqiptarëve, të cilët me qendrimin e tyre autoritar dhe atavizmin politik, kanë ndikuar në demoralizimin e elektoratit votues për tu distancuar dhe mos i votuar, apo votuar partitë tjera. Por, duhet të themi se jo çdo individ në kuadër të partisë nacionale lufton kundër dukurisë së asimilimit politik, sepse në pyetje janë interesat personale apo të klanëve të ndryshme, që nën maskën e angazhimit politik realizojnë përfitimet e tyre.

Mbrojtja e identitetit sfidon asimilimin politik
Pa marrë parasysh rrethanat shoqërore elektorati votues shqiptar duhet të mbeshtesë subjektët nacionale nëse duan të sfidojnë asimilimin politik, sepse çdo gjë mbetën në vetëdijen e ndërgjegjën tyre, në mbrojtje të identitetit kombëtar, sepse partitë nacionale janë vlerë në mozaikun e skenës politike të çdo mjedisi, duke kriuar raporte të parneritetit në favor të avancimit të pozitës dhe statusit të tyre politik.
Në këtë aspekt në Mal të Zi mbetët shumë për tu bërë, ku duhet të eliminohet mentaliteti i monizmit, duke i trajtuar partitë nacionale të popujve pakicë si partner në skenën politike e qeverisje e jo duke ndikuar në dobësimin e tyre përkatësisht të elektorati votues shqiptar në këtë mjedis.

Shperndaje