Mungon komunikimi ndërmjet popujve pakicë dhe institucioneve qeveritare

Në mungesë të institucioneve të posaçme, çështja e komunikimit ndërmjet popujve pakicë dhe institucioneve qeveritare në mjediset multinacionale sikurse është Mali i Zi, varet nga vullneti politik i pushtetit, që as në pluralizëm nuk ka treguar gatishmëri të avancimit të barazisë praktike qytetare e nacionale, sipas standardeve ndërkombëtare

Nail Draga

Në rrethana të reja shoqërore në pluralizëm, çështje parësore paraqet përfaqësimi i shqiptarëve, përkatësisht prezantimi i kërkesave të tyre të ligjshme në lidhje me avancimin e pozitës dhe të statusit të tyre. Kemi të bëjmë me çështje komplekse sepse, përfaqësimi nuk është çështje personale apo partiake, duke qenë përgjegjësi para institucioneve qeveritare, sepse kemi të bëjmë me barazinë qytetare e nacionale në një mjedis multinacional e multikulturor, siç është Mali i Zi.
Ndonëse janë bërë tri dekada në pluralizmëm, subjektet politike të cilat përfaqësojnë shqiptarët, si dhe përfaqësuesit e tyre autentikë, deri më tash nuk kanë bërë asnjë hulumtim në lidhje me raportet dhe institucionet qeveritare. Të dhënat e tilla empirike do të dëshmonin pabarazinë e shqiptarëve në fusha të ndryshme shoqërore si në punësim, arsim, kulturë etj.

Prezantimi dhe përfaqësimi
Pikërisht në këtë aspekt, problemi qëndron se kush i përfaqëson shqiptarët në institucionet qeveritare, dhe sa janë ata të gatshëm të ballafaqohen me realitetin shoqëror. Përveç përgatitjes profesionale, individët e tillë duhet të jenë edhe të guximshëm për të prezantuar kërkesat që janë në favor të avancimit të të drejtave të shqiptarëve të cilat janë mohuar dekada me radhë. Një analizë e kësaj natyre do të eliminonte paragjykimet ndaj pjesëtarëve të popujve pakicë, e në veçanti ndaj shqiptarëve, të cilët nuk janë të përfaqësuar në mënyrë proporcionale. Duke marrë parasysh se nga viti 1998-2020, shqiptarët permes subjekteve të tyre politike kanë qenë pjesë e koalicionit qeveritar, analiza e përfaqësuesve përkatës do të eliminonte dilemat ekzistuese. Sepse, jo rrallë herë më tepër kanë përfituar individët e jo elektorati i tyre.
Me këtë rast cekim se nga viti 1998, në kuadër të Qeverisë së Malit të Zi u formua Ministria e popujve pakicë, e cila pothuaj vazhdimisht është udhëhequr nga shqiptarët. Ndërsa çështje tjetër paraqet angazhimi i tyre në favor të avancimit të barazisë nacionale të shqiptarëve, që meriton trajtim të veçantë.
Me rastin e rotacionit të pushtetit (30.8.2020), Qeveria e re eliminoi këtë ministri duke ia bashkëngjitur atë asaj të Drejtësisë, pa dhënë arsyetim të një veprimi të tillë. Ne mendojmë se popujt pakicë duhet të jenë pjesë e pushtetit ekzekutiv, pa marrë parasysh se kush do ta formojë shumicën parlamentare.
Në qeverinë e re në kabinetin e kryeministrit të Malit të Zi, jemi të informuar se në lidhje me këtë çështje është i angazhuar një person në cilësinë e këshilltarit të pakicave, ndërsa cili do të jetë roli përmbajtësor, mbetet të shihet.

Pa përfaqësues autentikë në këshilla të ndryshme
Duke marrë parasysh se në qeverisjen e mëparshme kanë qenë të pranishme dobësi kadrovike e funksionale, nga qeverisja e re nuk jemi duke parë ndonjë angazhim konkret për ndryshime cilësore e përmbajtësore. Një veprim i tillë është në kundërshtim ligjor e kushtetues, kur kemi të bëjmë me përfaqësimin autentik të pjesëtarëve të popujve pakicë.
Nuk mund të arsyetohet me asnjë argument mospjesëmarrja e përfaqësuesve autentikë të shqiptarëve në Këshillin e Arsimit, Këshillin e Kulturës, Entin e Teksteve dhe të Mjetëve Mësimore etj. Duke marrë parasysh se subjektet e tilla miratojnë Vendime që përfaqësojnë edhe të drejtat e popujve pakicë, mospjesëmarrja e përfaqësuesve të tyre autentikë, dëshmon mungesën e bashkëpunimit institucional dhe imponim të çështjeve programore, që nuk janë në favor të popujve pakicë. Veprimet e tilla të imponuara janë kundër barazisë qytetare e nacionale, sepse popujt pakicë nuk mund të përfaqësohen nga të tjerët por vetëm nga përfaqësuesit e tyre autentikë.

Pa ankesa tek Avokati i Popullit(!)
Çështjet nacionale në një mjedis multinacional janë të ndjeshme dhe mbeten të hapura, sidomos në ato mjedise ku ende mungon demokracia funksionale, si rezultat i mentalitetit unitarist të trashëguar nga koha e monizmit. Edhe pse janë bërë tre dekada në pluralizëm, çështja e barazisë nacionale e qytetare mbetet e hapur, sidomos kur kemi të bëjmë me shqiptarët.
Nga një informatë që disponoj nga Avokati i Popullit (Ombudsmani),tek ata deri më tash nuk është paraqitur asnjë kërkesë për të kontestuar raportet aktuale të institucioneve të pushtetit ndaj shqiptarëve. Një e dhënë e tillë është shqetësuese dhe zhgënjyese sidomos për ata që na përfaqësojnë në institucionet përkatëse. Këtu kritika shkon në radhë të parë ndaj partive politike që përfaqësojnë shqiptarët, të cilat është dashur të jenë më aktive, duke ofruar argumente të pabarazisë praktike që janë duke e përjetuar shqiptarët.

Mungon partneriteti me pushtetin
Për shkak të mungesës së raporteve bashkëpunuese midis pushetit dhe popujve pakicë, duke mohuar partneritetin, dëshmon qasjen e pushtetit edhe tash në pluralizëm sikurse në monizëm.
Vetëm me trajtimin e popujve pakicë si partnerë në qeverisje, do të eliminoheshin defektet ekzistuese dhe do të ishte në dobi të avancimit të çështjeve të kontestuara, që do të jenë në favor të barazisë nacionale e qytetare në këtë mjedis. Një qasje e tillë serioze do të ishte dëshmi e fillimit të respektimit të ndërsjellë në favor të të gjithëve në këtë mjedis multinacional.
Çdo kërkesë e shqiptarëve e cila nuk cenon të tjerët, do të pranohej nga çdo pushtet demokratik dhe do të ishte në dobi të avancimit të barazisë nacionale sipas standardeve ndërkombëtare. Ndërsa e kundërta ndodhë me pushtetet autokratike, që vuajnë nga paragjykimet me konceptet unitare të qeverisjes.

Bashkëpunimi pa paragjykime
Nga ana e subjekteve politike të shqiptarëve, deri me tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë se është realizuar ndonjë hulumtim i opinionit në lidhje me këto çështje që është dëshmi e mosinteresimit të bashkëpunimit me institucionet qeveritare të cilat e kanë obligim të trajtojnë çështjet në lidhje me barazinë nacionale në fushat përkatëse.
Andaj, mbetet çështje e hapur zhbllokimi i këtij komunikimi ndërmjet popujve pakicë, përkatësisht përfaqësuesve të tyre dhe institucioneve qeveritare. Çdo tentim për të margjinalizuar këtë çështje, dëshmon se mungon vullneti politik i pushtetit për ndryshime pozitive në favor të të drejtave nacionale sipas standardeve ndërkombëtare.

Shperndaje