Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq, është i mendimit se nu ka çka të diskutohet me Kosovën sa i takon temës së Demarkacionit.
Ai këtë e tha në një intervistë për RTK-në.
“Demarkacioni është temë e kryer për Malin e Zi. Marrëveshja është e nënshkruar nga të dy shtetet kurse Mali i Zi e ka ratifikuar në parlament këtë marrëveshje. Mali i Zi e ka kryer obligimin e vet. Jam i besimit se parlamenti i Kosovës do të ratifikoj marrëveshjen. Zvarritja nuk i ndihmon zgjidhjes”, tha Markoviq.
Sipas tij, demarkacioni nuk është në agjendën e tij gjatë vizitës në Kosovë por se do ta diskutojë këtë temë nëse e hap homologu i tij.
Ai ka thënë se çështjen e demarkacionit nuk e sheh si diçka që i pengon marrëdhëniet në mes të dy shteteve të cilat siç thotë ai janë të shkëlqyeshme.