KKSH: Vizitë e zevendësministrit nga Kosova Bajram Gecaj

Kumtesë për opinion

Kryetari i KKSH-së Genci Nimanbegu priti zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Bajram Gecaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Genci Nimanbegu, dhe sekretari Faik Nika, u takuan me zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Bajram Gecaj.

Kryetari Nimanbegu pasi e njoftoi për mënyrën e funksionimit të KKSH-së dhe kompetencat, potencoi disa nga problemet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi.

Ai shprehu shqetësimin për rënien e vazhdueshme të numrit të shqiptarëve në Mal të Zi, rreziku nga asimilimit gradual, emigrimi i vazhdueshëm i të rinjve dhe një sërë faktorësh të tjerë.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Bajram Gecaj, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka theksuar se vizita e tij ka për qëllim që të njihet më për së afërmi me problemet e shqiptarëve në Mal të Zi dhe kërkesat e tyre.

Ai shprehu gatishmëri që Kosova t’i ndihmojë shqiptarët në Mal të Zi, në kuadër të bashkëpunimit ndër shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, dhe kur pritet që komunitetit të malazezëve në Kosovë t’u njihet statusi i pakicës dhe të jenë të përfaqësuar në pushtet.

Kryetari i KKSH-së ka kërkuar që shteti i Kosovës t’i ndihmojë shqiptarët në Mal të Zi sidomos në fushën e arsimit, kulturës, investimeve në sektorin privat me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës etj. Gjatë vizitës së tij, zëvendësministri Gecaj është takuar edhe me zyrtarë të shtetit të Malit të Zi.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!