Rama, në Mal të Zi. Mbledhje e përbashkët mes dy qeverive në tetor (Video)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po qëndron për një vizitë zyrtare në Mal të Zi me ftesë të kryeministrit, Dushko Markoviq.

Rama me nderimet më të larta shtetërore në mënyrë solemne është pritur para Vilës “Gorica”.

Pas takimit kokë më kokë dy kyeministrat mbajten një konferencë të përbashkët për media ku vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, të cilat gjithsesi kanë nevojë për më shumë impulse.

E për këtë arsye, ata ranë dakord që në tetor të këtij viti, dy qeveritë të mbajnë një mbledhje të përbashkët e cila do të zhvillohet në Shkodër dhe në fokus të saj do të ketë thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Kryeministri malazez Markoviq tha se, vizita e sotme e Kryeministrit të Shqipërisë, është një vërtetim i fuqishëm i marrëdhënieve të mira fqinje mes dy vendeve dhe falenderoi Ramën për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën euro-atlantike të Malit të Zi.

Kryeministri Rama përshëndeti ratifikimin e protokollit për anëtarësim të Malit të Zi në NATO nga ana e Senatit Amerikan. “Shqipëria ka mbështetur fuqimisht Malin e Zi gjatë ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin në NATO, dhe kjo është një ngjarje historike, jo vetëm për Malin e Zi, por me të gjithë rajonin tonë. Kjo nga fakti se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, pothuajse lidhë gjithë bregdetin e Adriatikut-Jonit në zonë të NATO-s”, tha Rama.

Ai tha më tej se dy qeveritë do të mbajnë një seancë të përbashkët qeveritare. “Vendosëm të mbajmë një seancë të përbashkët mes qeverive të të dyja vendeve, si një cikël i ri të marrëdhënieve dhe përpjekjeve për të intensifikuar dhe për të përmirësuar jetën ekonomike dhe sociale të qytetarëve tanë duke e shfrytëzuar potencialin tonë të përbashkët, duke vendosur theksin te rëndësia e zonës ndërkufitare. Nuk ka dilema se ne mbetemi fqinjë, rrugët tona janë të përcaktuara në mënyrë të qartë, krah për krah njëri-tjetrit. Kjo është rruga e pakthyeshme, mendoj se bashkëpunimi ynë do të jetë strategjik, në shërbim të, dhe për fëmijët tanë”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

Markoviçq tha se dy vendet nuk kanë çështje të hapura mes tyre dhe bëri thirrje për forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

“Sidomos kur marrim parasysh se shkëmbimi i tregtisë së jashtme në vitin 2016 arriti në 43 milionë euro, edhe pse është shënuar rritja për dhjetë për qind në krahasim me vitin 2015. Ne besojmë se Mali i Zi dhe Shqipëria në sektorin e energjisë, transportit dhe turizmit, veçanërisht në menaxhimin e burimeve tona mund të bëjnë më shumë dhe kështu të kontribuojnë për ekonomitë e të dyja vendeve”, theksoi Markoviq, i cili paralajmëroi themelimin e një Komiteti Ekonomik mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Në këtë vizitë, Rama shoqërohet nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati, i cili gjithashtu pati një takim me homologun Srdan Darmanoviq./Malësia.ME/

Anton-GjokajAutor: Anton Gjokaj

https://www.youtube.com/watch?v=pXG_a-sqNtY

Shperndaje
1 Comment
error: Të drejtat e rezervuara !!