“Demarkacioni” mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme

Së shpejti pritet që marrëveshja e demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, i cili është kushti i fundit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të procedohet në Kuvend. Sipas njohësve të rrethanave politike në Kosovë, mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje si dhe mosfunksionalizimi i përgjithshëm i Kuvendit mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Azem Vllasi, avokat dhe njohës i rrethanave politike në rajon, shprehu mendimin se çështja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi duhet të shkojë në Kuvend dhe të shihen dy mundësitë “Nëse kalon dhe hiqet prej rendit të ditës dhe nëse nuk kalon dhe shihet që ky Kuvend nuk është i aftë ta përfundojë këtë çështje”.

Duke theksuar se shanset janë më shumë për të mos kaluar, sipas Vllasit kjo çështje do t’i mbetet përbërjes së re të Kuvendit, pas gjedhjeve të parakohshme, të cilat sipas tij nuk duhet të mbahen vetëm për çështjen e Demarkacionit. “Nëse ky Kuvend nuk mund ta kryejë ajo çështje mbetet për Kuvendin e një përbërje të re, diku pas zgjedhjeve”, tha Vllasi.

Ai po ashtu tha se votat e deputetëve të Listës Serbe dhe të minoriteteve tjera për këtë marrëveshje mund të sigurohen, por që ato janë të pamjaftueshme nëse nuk sigurohet numri i mjaftueshëm nga deputetët e koalicionit qeverisës PDK (Partia Demokratike e Kosovës) dhe LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës).

“Nëse nuk bëhen dy të tretat, atëherë çështja e demarkacionit mbetet e pakryer, kurse Listës Serbe i mbetet një nder që ata nuk kanë bërë problem”, tha Vllasi.

Sipas tij, situata e krijuar detyron që Kosova të shkojë në zgjedhje gjatë këtij viti, eventualisht në vjeshtë. “Kuvendi për disa çështje madje edhe goxha një numër të çështjeve të rëndësishme është në një lloj bllokade dhe nuk po e kryen funksionin e vet si duhet. Në këtë gjendje më mirë është të shkohet në zgjedhje të parakohshme se sa të pritet fundi i mandatit që është 2018”, tha Vllasi.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!