Ministrja Ahmetaj takon homologun e saj malazez Pejoviq

Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Mimoza Ahmetaj , priti në takim Ministrin e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, Aleksandar Andrija Pejoviq.

Pas këtij takimi, homologët Ahmetaj dhe Pejoviç mbajtën një konferencë për media ku u theksua bashkëpunimi në mes të dy shteteve në rrugën euro-integruese.

Gjatë fjalimit të tij, ministri i Integrimit Evropian të Malit të Zi, Pejoviç tha se me ministren Ahmetaj kanë biseduar për nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunimin e dy vendeve në procesin e integrimeve evropiane si dhe për themelimin e një këshilli për t’i diskutuar çështjet me interes të përbashkët.

“Mali i Zi ka mjaft për t’i ndihmuar dhe t’i ofrojë Kosovës. Mali i Zi është vendi i cili ka më së shumti kapituj të hapur pra 26 (për anëtarësimin në BE) dhe në këtë pjesë jemi të gatshëm të shkëmbejmë përvojat tona. Po ashtu kemi biseduar për shfrytëzimin e fondeve të BE-së. Deri më tani kemi pasur rast që pjesa veriore të shfytëzojë 4 milionë nga fondet e BE-së për marrëdhënie ndërkufitare, për zhvillimin e turizmit dhe për qytetarët tanë”, tha Pejoviç.

Ai po ashtu tha se para pak ditësh është përfunduar edhe programi i cili mundëson që dy vendet të marrin deri në 10 milionë euro të reja.

Kemi nënshkruar marrëveshjen për dy millionë si dhe shpresojmë që të marrim edhe marrëveshje të reja.

Kurse ministrja kosovare Ahmetaj tha se gjatë këtij takimi theks të veçantë i është kushtuar bashkëpunimit në perspektivën evropiane, e cila sipas saj, “Sa është e rëndësishme për Kosovën është aq e rëndësishme edhe për Malin e Zi”.

Duke e vlerësuar Malin e Zi si një shtet lider në rajon, nga i cili mund të merret shembull për avancimin në procesin euro-integrues, Ahmetaj tha se në takim biseduan për “Marrëveshje të ndërsjella të cilat ne dy shtetet do t’i nënshkruajmë në mes veti, për fondet e përbashkëta të cilat e përkrahin procesin integrues si për Kosovën edhe për Malin e Zi si dhe për inicimin e nismës së nënshkrimit të marrëveshjes e cila është obligative dhe del nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA) që tani është në stadin fillestar”.

Ajo po ashtu përgëzoi Malin e Zi për votimin pro anëtarësimit të këtij shteti në NATO dhe uroi që deri në fund të muajit maj Mali i Zi të bëhet anëtar me të drejta të plota në NATO.

Ndërkaq, ministrat nuk komentuan çështjen e e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!