Interesimi për legalizimin e objekteve në Malësi ka filluar

Interesimi për çështje të legalizimit të objekteve ilegale, ndryshe nga pesë muaj më parë ku në komunën e Tuzit nuk kishte të paraqitur asnjë kërkesë, ka filluar, edhe pse afati i përfundimit të  procesit të legalizimit është shumë pranë, ndërsa komuna e Tuzit ende nuk ka një vendim definitiv për klasifikimin e zonave dhe vendosjen e tarifës.

Kryetari i Komunës së Tuzit në kuadër të kryeqyteti, Z. Abedin Axhoviq, në një prononcim për Kohën Javore,  thekson se për çështjen e legalizimeve të objekteve ilegale është mbajtur para tre javësh debat publik ku një numër relativisht i madh i banorëve i ka paraqitur vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për sa i takon ndarjes së zonave dhe tarifës për metër katror të objektit për zonat përkatëse.

“Me ndryshimin e statusit të komunës, edhe ne sikurse çdo komunë tjetër në Mal të Zi, i kemi të gjitha të drejtat të cilat kanë të bëjnë me legalizimin. Në debatin qendror i cili u mbajt me 9 maj, janë dhënë shumë vërejtje dhe sugjerime të cilat për ne janë të mirëseardhura, pasi ne do t’i analizojmë e shqyrtojmë dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë në interes të qytetarëve. Më së shumti vërejtje ka pasur mbi klasifikimin e zonave, çfarë paraqet edhe problemin më të madh pasi klasifikimi i zonave ka disa kushte specifike, sepse Malësia nuk ka një plan të mirëfilltë. Ne nuk i kemi ato dokument-plane në bazë të të cilave do të mund të lehtësonim çështjen e klasifikimit të zonave. Krahas vërejtjeve, tashmë kemi dhe sugjerimet nga kryeqyteti në të cilat kemi ndikuar menjëherë me tendencë për të ndryshuar disa zona siç është Karabushko Pole dhe Rakiqi që ato të klasifikohen si “Zona 3” dhe  jo si “Zona 1”,  tha Axhoviq.

Sipas Axhoviq, pas takimesh që do të zhvillojë me këshillin për Planifikim dhe Rregullim Hapësinor dhe me shefat e Klubeve të Këshilltarëve, ai do të insistojë që të gjejë një zgjidhje sa më të mirë dhe më të pranueshme për banorët e Malësisë sa i takon klasifikimit të zonave por dhe tarifës së objektit për metër katror.

“Ende nuk është definuar me saktësi se sa zona do të kemi, tre- katër apo pesë, por jemi në fazën e negociatave për shqyrtimin e sugjerimeve të cilat në detaje do t’i analizojmë dhe në bazë të tyre të bëjmë ndryshimet e duhura sa i përket klasifikimit të zonave, të cilat patjetër do të ndryshojnë dhe përherë në favor të banorëve të kësaj treve siç kam bërë thirrje përherë që Rakiqi dhe Karabushko Pole të renditen si “Zonë e Tretë” dhe jo e parë e kështu edhe për vende të tjera në bazë të vërejtjeve dhe sugjerimeve”, u shpreh Axhoviq, duke u zotuar se do të përpiqet që të ndikojë për të gjetur një formë të përballueshme për banorët, me synim që askush të mos mbes pa përfunduar legalizimin e objekteve.

Ndërkaq, pasi këshilli për Planifikim dhe Rregullim Hapësinor dhe shefat e klubeve të këshilltarëve të sjellin vendimet e tyre, ato do t’i dërgohen Ministrisë së Turizmit për dhënie pëlqimi, e më pas do të paraqiten në seancën e kuvendit të Komunës para këshilltarëve.

Sipas projektvendimit për kompensimin e tokës ndërtimore për objekte të paligjshme territori i Tuzit është ndarë në katër zona ku qytetarët do të paguanin tarifën për objektin e tyre nga 26 deri në 48 euro për meter katror.                                                                                                                  Mirëpo, ky vendim nuk është definitiv, pasi janë në shqyrtim e sipër vëretjet dhe sugjerimet në bazë të të cilave do të mund të ndryshonin zonat dhe tarifat.

Rikujtojmë se afati për paraqitjen e kërkesave për legalizim të objekteve ilegale përfundon  më 15 korrik 2018. /t. u./

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!