Pance së shpejti vizitë në Mal të Zi

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence do të vizitojë shumë shpejt Malin e Zi me ftesë të kryeministrit Dushko Markoviq.

Në axhendën e Pence do të jetë dhe një takim me presidentin Filip Vujanoviq, ndërsa kryeministri Markoviq përgatitet të jetë në të njëjtën kohë mikpritësi i një takimi me liderët e vendeve të kartës së Adriatikut.

Samiti, nga sa pohohet në deklaratë të qeverisë së Malit të Zi, do të mbahet në 2 gusht në Podgoricë, e në të do të marrë pjesë dhe zëvendëspresidenti amerikan. Do të jetë mbledhja më e rëndësishme ndërkombëtare e mbajtur ndonjëherë në këtë vend, vazhdon njoftimi i qeverisë, ku sqarohet se ftesa për këtë event i janë dërguar liderëve të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Shqipërisë e Maqedonisë, të cilat krijojnë bashkë me Malin e Zi Karten e Adriatikut, si dhe vendeve që gëzojnë statusin e vëzhguesit- Serbia, Kosova dhe Sllovenia.

Për Podgoricen, ndalesa e Pence shihet si konfirmimi i radhës i marrëdhënies së shkëlqyer politike të saj me Washingtonin si dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Ftesën, numrit dy të administratës amerikane, Markovic ia bëri gjatë bisedimeve zyrtare të mbajtur në 5 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Vizita e Pence, e para në rajon e një zyrtari të këtij niveli i cili është bashkëpunëtor i presidentit Donald Trump, vjen pak muaj pas ekspozimit të komplotit për grusht shteti në Malin e Zi, i cili dyshohet të jetë orkestruar nga Rusia.

Vetëm disa javë më parë ndërkohë, vendi u kthye në anëtar me të drejta të plota të NATO. Një lëvizje e tillë u pa si grusht i fortë që i jepej përpjekjeve të Moskës për shtrirjen e influencës së saj në Ballkan, tentativa këto që e kanë rikthyer rajonin në fokusin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!