Hyrja e Malit të Zi në NATO aleancë është me rëndësi të madhe për integrimin e gjithë rajonit në konceptin e sigurisë, është vlerësuar në takimin mes Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Mehmed Zenka me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe deputetët Xhevat Ademi dhe Maksim Dimitrievski, që gjenden në vizitë zyrtare në Mal të Zi .
Ministri Zenka ka njoftuar z. Xhaferin me faktin se popujt pakicë në Mal të Zi janë aleat politikë në zbatimin e reformave progresive në Mal të Zi.
Zenka nënvizoi se Mali i Zi ia ka dalë t’i tejkalojë sfidat dhe prej pakicave të bëjë prioritete të veta strategjike. Ai theksoi se minoritetet dhanë kontribut të madh në integrimin euro-atlantik të Malit të Zi, dhe ky është rezultat i një politike të matur i cili u strukturua ndaj tyre me korrektësi.
Ai uroi Talat Xhaferin për emërim dhe vlerësoi vizitën e delegacionit të Republikës së Maqedonisë, si një kontribut të fortë në zhvillimin e marrëdhënieve të mëtejshme mes dy vendeve.
Z. Xhaferi ka falënderuar ministrin Zenka dhe tha se Republika e Maqedonisë do të bëjë përpjekje, duke respektuar dhe duke marrë parasysh mendimet e qytetarëve të saj, për të gjetur zgjidhje të pranueshme për integrimin evropian dhe euroatlantik duke u stimuluar me suksesin e Malit të Zi në rrugën e saj.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se të dy vendet janë të angazhuara fuqishëm për të ardhmen evropiane dhe përmirësimin e bashkëpunimit me qëllim të forcimit të konceptit të shoqërisë civile në shenjë të kapaciteteve demokratike./Malësia.ME/