Partitë politike shqiptare nuk duhet t’i lidhin interesat e tyre vetëm me një parti politike

0

Koha për reflektim

Prandaj partitë politike shqiptare nuk duhet t’i lidhin interesat e tyre vetëm me një parti politike, siç ka qenë rasti deri tani, por të provojnë të krijojnë aleanca edhe me parti të tjera, në interes të shqiptarëve dhe votuesve që përfaqësojnë. Ndërkaq, vetë PDS ka nevojë për reflektim sepse nuk mund t’i fitojë gjithmonë zgjedhjet dhe pushtetin në saje të pakicave. Kjo parti, në vend që të luftojë për vota në vende të tjera, sulmon votuesin shqiptar dhe partitë shqiptare si partnerë të vet strategjikë.  

Ismet Kallaba

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, që u mbajtën të dielën, janë një moment reflektimi për të gjithë aktorët politikë pjesëmarrës në to – për subjektet politike në radhë të parë, por edhe për vetë votuesit. Duke marrë parasysh rezultatet, këto zgjedhje përbëjnë një moment kthese në historinë e parlamentarizmit në Malin e Zi dhe një situatë të re politike për këtë vend me demokraci të brishtë, të pamësuar me ndërrimin e pushtetit prej 30 vitesh të pluralizmit politik. Çdo fillim e ka një fund, duam apo nuk duam ne, prandaj askush nuk duhet t’i marrë si tragjike këto zgjedhje. Ajo që na mbetet, sidomos ne shqiptarëve pa ndonjë peshë politike, ekonomike, kulturore etj., është që të përshtatemi me realitetin e ri politik.

Në parim, ndërrimi i pushtetit është i shëndetshëm për demokracinë. Pushteti aktual i konsumuar në vend të pluralizmit ka instaluar autokracinë si sistem qeverisjeje, ka ushqyer shumë dukuri negative si korrupsionin, nepotizmin, klientelizmin politik, pabarazinë sociale etj.  

Por a është ky momenti i duhur për ndërrimin e pushtetit?!

Duhet pranuar se ekziston rreziku real nga forcat fituese proserbe, të cilat priten të krijojnë shumicën e re parlamentare dhe qeverinë e re. Ky rrezik ka të bëjë me vetë shtetësinë e brishtë të Malit të Zi, por sidomos me pakicat, në radhë të parë me shqiptarët. Rikthimi i retorikës së urrejtjes dhe veprimet luftënxitëse të kohës së fundit, të dirigjuara nga Kisha Ortodokse Serbe, të përkujtojnë vitet ’90 të shekullit të kaluar.

Në këtë konfiguracion të ri politik, pozita e Lëvizjes Qytetare URA dhe e koalicionit “E bardha në të zezë”, të kryesuar prej saj, është kyçe, por njëkohësisht edhe e palakmueshme. E gjithë lufta e kësaj partie është bazuar në rrëzimin e pushtetit të instaluar nga PDS dhe kryetari i saj Millo Gjukanoviq, por bashkëpunimi me partitë proserbe në qeverisjen e re eventuale do të jetë shumë i vështirë, para së gjithash në rrafshin e politikës së jashtme sepse ndajnë qëndrime të ndryshme. Për shkak të fuqisë së saj polike (vetëm katër deputetë) Lëvizja Qytetare URA do ta ketë të vështirë t’ua imponojë politikat e saj dy partnerëve të tjerë të koalicionit qeverisës. Po ashtu, qeverisja e re, kushdo që ta formojë atë, do të ballafaqohet me probleme të mëdha ekonomike dhe sfidën e rimëkëmbjes pas krizës së pandemisë së Covid-19.

Situata e re politike i ka gjetur të papërgatitura partitë shqiptare, të cilat kanë nevojë të këndellen. Mbështetja e parezervë e një force politike dhe pushtetit të personifikuar nga Millo Gjukanoviqi i ka çuar partitë shqiptare dhe shqiptarët në Malin e Zi në përgjithësi në humnerë politike. Për më tepër, PDS ka depërtuar thellë në elektoratin shqiptar duke mos i trajtuar partitë shqiptare si aleatë tradicionalë. Prandaj partitë politike shqiptare nuk duhet t’i lidhin interesat e tyre vetëm me një parti politike, siç ka qenë rasti deri tani, por të provojnë të krijojnë aleanca edhe me parti të tjera, në interes të shqiptarëve dhe votuesve që përfaqësojnë. Ndërkaq, vetë PDS ka nevojë për reflektim sepse nuk mund t’i fitojë gjithmonë zgjedhjet dhe pushtetin në saje të pakicave. Kjo parti, në vend që të luftojë për vota në vende të tjera, sulmon votuesin shqiptar dhe partitë shqiptare si partnerë të vet strategjikë.  

Partitë shqiptare nuk kanë asnjë arsye që të jenë të kënaqura me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, pavarësisht se kanë fituar më shumë vota se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, rrjedhimisht edhe më shumë (dy) deputetë. Në realitetin e ri politik, pesha e tyre politike edhe ashtu e vogël, do të jetë e pavlerë në rast të krijimit të një qeverie nga forcat aktuale opozitare.

Është koha për reflektim edhe të politikës zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë, që t’i kthejnë sytë nga shqiptarët në Malin e Zi, të cilët janë jetimë në vendin e vet, sepse situata në të cilën ndodhen ata është pasojë edhe e miopisë politike të Shqipërisë dhe Kosovës! Kërkohet që politika e të dy shteteve shqiptare të punojë në vijimësi me shqiptarët në Malin e Zi dhe forcat e tyre politike e jo vetëm dy-tre muaj para zgjedhjeve, për më keq duke mbështetur njërin krah politik. E njëjta gjë vlen edhe për diasporën shqiptare, si pjesë e pandarë e vendlindjes, e cila mund t’i ndiejë pasojat e veprimit të saj politik në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi.

error: Të drejtat e rezervuara !!