Rama-Thaçi, angazhim për zgjerimin e bashkëpunimit strategjik dypalësh

Pas vizitës në Presidencë, ku u prit nga Bujar Nishani, Presidenti i Republikës së Kosovës është ndalur gjatë vizitës së sotme – të parë si i tillë, – në Kryeministri, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama.

Në fokusin kryesor të këtij takimi ka qenë zgjerimi i bashkëpunimit strategjik, tashmë të konsoliduar, mes dy vendeve tona dhe me interes të përbashkët, rritja e shkëmbimeve tregtare mes nesh, duke u bërë kështu një shembull për rajonin, si dhe ecuria e axhendës së përbashkët mes dy qeverive.

Kryeministri Rama dhe Presidenti Thaçi u angazhuan për përkushtim të ndërsjelltë të të dy qeverive për të konsoliduar edhe më tej këtë bashkëpunim përmes projekteve të rëndësishme në fushat e infrastrukturës, arsimit, doganave, kulturës, etj.

Presidenti kosovar, Hashim Thaçi e ka falënderuar kryeministrin Rama për kontributin që qeveria shqiptare ka dhënë dhe vijon të japë në mbështetje të proceseve integruese të Kosovës, si dhe anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë.

Në këtë takim, ku u bisedua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, Thaçi ka qenë i shoqëruar nga disa ministra të qeverisë së tij./Top Channel/

Shperndaje