Çmimi Kadare: Fituesi shpallet më 9 nëntor

Nga 35 dorëshkrime, juria ka përzgjedhur deri më tani nëntë autorë. Emra si: Arti Lushi, Eliona Gjergo, Gazmend Krasniqi, Ilir Bezhani, Primo Shllaku, Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Zija Çela, Shefqet Tigani, janë në garë për çmimin letrar “Kadare” që do të shpallet më 9 nëntor, në një ceremoni për rastin. Por anëtari i jurisë së këtij çmimi, Alfred Lela thotë se gara do të jetë e hapur deri më 31 tetor, datë e lajmëruar edhe më parë nga fondacioni MAPO, që edhe akordon këtë çmim.

Në ç’fazë është konkursi për çmimin “Kadare”?

Konkursi praktikisht është mbyllur duke qenë se sot juria zhvilloi takimin e radhës, që i bie të jetë i fundit për këtë muaj. Formalisht dita e fundit e tetorit është afati i mbylljes, por duket se prurjet kanë shkuar në fund. Kjo nuk do të thotë se do i mbyllnim ‘derën’ dikujt që paraqitet më datë 31. Javën tjetër juria mblidhet për të diskutuar mbi autorët që kanë arritur të futen në atë që quhetshort list.

Sa dorëshkrime janë paraqitur?

Janë paraqitur 35 dorëshkrime, të cilat i përkasin kryesisht romanit, ka më pak tregime e tek-tuk novela. Autorët janë të njohur, pak të njohur ose të panjohur. Një pjesë e mirë e tyre megjithatë kanë botuar edhe më parë.

Cilët janë autorë ?

Do të ishte e panevojshme një listë me emrat dhe titujt e të gjithë pjesëmarrësve, por mund të citoj ata që i kanë ‘mbijetuar’ përzgjedhjes së parë të jurisë. Nga 35 kemi shartuar shumicën për të mbetur me 9 autorë, numër të cilin besoj do ta çojmë në 4-5 në mbledhjen e ardhshme. Prej kësaj do të dalë edhe fituesi. Nëntëshja përbëhet nga: Arti Lushi, Eliona Gjergo, Gazmend Krasniqi, Ilir Bezhani, Primo Shllaku, Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Zija Çela, Shefqet Tigani.

Kur do të shpallet fituesi? A do të këtë një ceremoni për rastin?

Fituesi do të shpallet të hënën, më 9 nëntor, në një ambient që është i afërt me librat dhe letraren, ndoshta një librari. Por nuk e kemi vendosur ende saktësisht se ku. Por një ceremoni të hajthme dhe njëkohësisht të plotë do ta kemi siç e meriton rasti dhe emri i çmimit.

Nga prurjet, çfarë vihet re? Në ç’nivele paraqitet proza artistike letrare, a vihen re tendenca apo rryma të reja në letërsi?

Të mos e marrim guximin të flasim për rryma të reja, të cilat bota i merr nga letërsia shqipe apo që buisin në Shqipëri. Ne jemi një komb fatlum që kemi prodhuar një fenomen, siç është Ismail Kadare. Dhe nuk është pak, siç edhe nuk duhet të dëshpërohemi e të na priten gjunjët nëse nuk po na del një i dytë. Nëse pyetja do të ishte: a po del nga këto letra që janë ofruar në konkurrim një i ngjashëm në talent me Kadarenë, unë do thosha ‘Jo’. Por ka autorë të rëndësishëm dhe autorë interesantë në këtë listë.

Mapo Editions do të botojë vetëm fituesin, apo do të ketë edhe të tjera dorëshkrime që edhe pse nuk do të jenë fituesit e çmimit prej 10 mijë eurosh, do të botohen?

Ne kemi një ‘kontratë’ vetëm me fituesin e çmimit ‘Kadare’. Mbetet në dorë të mecenatit që të bëjë ‘lëshime’ të tjera në zemërgjerësi. Kjo, kam përshtypjen se do të varet edhe nga rekomandimet e jurisë. A do t’i paraqesë ajo mecenatit një autor që nuk mund të anashkalohet? Nuk e di. Të presim edhe ca ditë. Unë mund të them megjithatë se “Mapo Editions” e ka në plan që të qëmtojë një autor shqiptar për ta botuar çdo vit përveç fituesit të çmimit “Kadare”. Ky autor mund të vijë nga lista e konkurruesve ose nga burime të tjera.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!