Gjekë Gjonaj gjurmues dhe pasqyrues i krenarisë dhe i atdhetarisë shqiptare

Rreth librave studimorë dhe ndihmesave të Gjekë Gjonajt në fushën e publicistikës në Mal të Zi.

Gjekë Gjonaj është tashmë një emër i mirënjohur në gazetarinë e shqiptarëve në Mal të Zi, intervistat, artikujt dhe reportazhet e të cilit për trojet shqiptare në Ulqin e rrethina, në malësinë e Trieshti, Hotit, Grudës, Martinajve të Plavës etj. janë botuar në faqet e gazetave të ndryshme e kryesisht te “Koha javore” (Podgoricë), “Koha jonë” (Tiranë), “Ilyria” (Nju-Jork), “Jeta Katolike” (Nju-Jork),”Zani i Shna-Ndout (Tuz), “Kumbona e së dielës” (Shkodër), “Zëri “ , “Koha ditore” e “Bota sot” (Prishtinë), si dhe në “Buzuku” (Ulqin), organ në të cilin ai është edhe ndihmëskryeredaktor.

Gjekë Gjonaj ka qenë një nga themeluesit dhe gazetari i parë për emisonet në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi, që ka filluar pikërisht me “Kronika e javës”, në vitet 1986-1992 , kohë kur ai ka punuar si gazetar në Radion e Malit të Zi.
Por, Gjekë Gjonaj, krahas (dhe përtej) vlerësimeve si gazetar e autor reportazhesh shumë të pëlqyera, është edhe gjurmues e hulumtues i zellshëm i historisë shqiptare, duke gjakuar të ndriçojë e të bëjë të njohura figura të mëdha të kombit shqiptar, si Prekë Calin e Kelmendit, një nga figurat madhore e madhështore të patriotizmit shqiptar, të cilit ai do t’i kushtonte librin e tij të rëndësishëm monografik “Prekë Cali-Piramidë e kufijve të Shqipërisë” (Tiranë, 2005, 273 faqe). Një vepër madhore e me vlera të shënueshme historike e dokumentuese.
Në vitin 2008, që shënon edhe pikën më të lartë të prodhimtarisë apo “korrjeve” historiko-kulturore dhe të prurjeve të tij si gazetar e analist, po gjithashtu edhe si dëshmues e dokumentues i përkushtuar i jetës dhe i përjetimeve e bëmave të malësorëve të trojeve shqiptare në Mal të Zi, Gjek Gjonaj do të botonte tri vëllime të çmueshme e pikërisht:

“Njëmendësi shqiptare”-35 intervista me personalitete të shquara të artit, letrave dhe gazetarisë shqiptare, si (në rendin e paraqitur në libër): Serafin Fanko prej të cilit shkoqit idetë dhe mendimet e tij në boshtin “Teatri duhet liruar nga prangat ideologjike”; Gjelosh Gjoka, piktor i shquar e akademik nga Malësia, intervista e të cilit përthekohet në temën “Arti i mirëfilltë nuk njeh kufij dhe është I kuptueshëm për të gjithë”; Riza Rexha nga Ulqini, prej të cilit Gjeka merr pohime në lidhje ndihmesa të tij “Pjesë e historisë së vendlindjes”; Imzot Angelo Masafra, ipeshkëv me origjinë arbëreshe, i cili pohon “Ēndërroj rajonin e Ballkanit në paqe. Për këtë edhe punoj”; Nail Draga, gjeograf nga Ulqini, prej të cilit sjell trajtesa për “Realitetin shqiptar në prizmin e dëshmive”; Kolë Berishaj, i cili thekson se “Në kosovë askush nuk do të pranonte diçka më pak sesa pavarësinë”; Rexhep Mejdani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, me të cilin Gjeka dialogon dhe sjell opininon e tij “Obligimi ynë-plotësimi i kritereve për integrim”; Joseph Dio Guardi, senator amerikan me origjinë arbëreshe, prej të cilit merr velërsime në tematikën “Po bëj çdo gjë për ruajtjen e krenarisë shqiptare”: Vily Kamsi, i cili në intervistën e tij pohon se “Edhe pse në moshë të thyer, gjithnjë punoj”. Libri vazhdon me shumë të tjerë, si Tonin Çobani, Pjetër Arbnori, Skënder Drini, Dom Nikë Ukgjini, Simë Dobreci, Shaban Demiraj, i cili në intervistën e tij shprehet se “Dallimet midis dialekteve të shqipes-parëndësi”; Jorgo Bulo, Gj.Shkurtaj, Ilir Meta, Jeta Katro Beluli, Artan Haxhi, Myslym Hotova, Sabri Godo, prej të cilit në intervstë shkoqit idenë “Mali i Zi-vendi më mik i Shqipërisë”; Ismail Kadare, në intervistën e të cilit trajtohet “Prania shqiptare do të ndihet në Evropë”; Rexhep Qosja, që vlerëson se “Duke mbiçmuar ato që janë bërë nuk i shërbejmë ngritjes së nivelit estetik të letërsisë sonë”; Erling Johansen, i cili pohon “Jam krenar që fëmijët e mi kanë gjak shqipar”. Sillen në libër edhe intervista të tjera, si me shkrimtarin Enver Gjerqeku, porosia e të cilit është se “Të rinjve u duhet ndihma e krijuesve të vjetër”; nga studiuesit arbëreshë Zef Chiaramonte nga Sicila dhe nga Françesko Altimari nga Kalabria, mesazhi i të cilit është “Mbijetesa e fuqishme historike”. Libri përmban edhe intervista nga Alfred Kaçinari, Jevrem Brkoviq, Hysni Hoxha, Nevila Nika.
Vlera e një libri të tillë, kaq të pasur me kumte e vlerësime prej figurash të dalluara të letrave shqipe e më gjerë, sidomos të shumë dashamirëve të Shqipërisë e të shqiptarëve që ka tubuar në libër, është ajo që e thotë bukuraza vetë Gjekë Gjonaj në parathënien e e tij: “Përherë jam gëzuar dhe gëzohem që populli im ka pasur, ka dhe do të ketë intelektualë të përmasave universale, të cilët, për mua kanë mbetur dhe janë shembull i punës vetëmohuese për të ngritur kulturën shqiptare në një nivel të lartë.”

Në po atë vit (2008) Gjekë Gjonaj boti edhe librin tjetër me titull “Gjurmave të kohës”, Enti Botues “Gjergj Fishta’ (360 faqe), në të cilin ai shkruan për figura të shquara kombëtre si: “Dom Gjon Buzuku, autor ilibrit të parë shqip”, “Vepra e Gjon Buzukut dhe rëndësia e saj shkencore”, “At Gjergj Fishta, figurë madhore e kulturës dhe e historisë sonë kombëtare”; “Nëna Tereze-misionare e dashurisë”, “Nëna Tereze është shqiptare”, “Shtatorja e Nënës Tereze edhe në Ulqin” (f.47-74).

Në kreun e titulluar “Personalitete historike”, janë tubuar shkrimet: “Ded Gjo’Luli, figurë historike e Malësisë”, ”Shtëpia muze e Ded Gjo’Lulit”, Baca Kurti-krenaria e Malësisë”, “Tringë Smajlja Ivezaj-heroinë e Malësisë, “Pretash Zeka,luftëtar për mbrojtjen e trojeve shqiptare”, “Epopeja e lavdishme e Oso Kukës” (f.82-112).

Kreu I tretë më titullin “Lamtumirë, President” përfshin shkrime rreth vdekjes së presidentit të Kosoëvës,Ibrahim Rugova.
Kreu i katërt ka dy shkrime për dy figura të mëdha nga radhët e klerit shqiptar të anëve të Malësisë: Dom Simon Filipajt, njeriut që realizoi botimin e plotë të Biblës në gjuhën letrare shqipe dhe at Vinçenc Malaj, figurë poliedrike e kulturës dhe e historisë shqiptare. (f.167-190) Në kreun e pestë pëmblidhen shkrime kushtuar arsimtarëve, gazetarëve dhe artistëve të njohur të anëve të Malit të Zi, si Gjergj Gjoka, Mark Ujkiqi, Zake Prelvukaj, Seida Belgoviq etj.

Në kreun e gjashtë përmblidhen intervista të ndryshme, si me aktoren Ema Andrea dhe aktorin Timo Flloko, me poetin Xhevahir Spahiu dhe me shkrimtarin Besnik Mustafaj.

Kreu i shatë u është lënë opinioneve dhe vështtrimeve për figura të mëdha të kombit shqiptar, si dhe mjaft dukurive nga jeta bashkëkohore e shqiptarëve të Malit të Zi.Në kreun e tetë, sillen shkrime me prurje nga fusha e folklorit dhe e etnografisë, si “Muzeumi etnografik i Malësisë”, “Xhubleta-mbretëresha e veshjebve shqiptare” dhe “Veshja popullore e Shestanit”.
Në vitin 2010 gjekë Gjonaj botoi librin “Shqipet e maleve”, kushtuar jetës së shqiptarëve në Malin e Zi, një libër me vlera të shumta njohëse dhe i shkruar bukur.

Kam pasur nderin të shkruaj edhe parathënien e atij libri dhe, pikërisht për prurjet e vlerat e shumta të atij libri, edhe mbas botimit, herë mbas here, i kthehem dhe e rilexoj për të cituar shumëçka nga bëmat historike dhe vetitë e larta të malësorëve shqiptarë në Mal të Zi e më gjerë, të cilët Gjekë Gjonaj, me një metaforë të goditur, i quan “shqipet e maleve”. Dhe, së mbrami, por jo për nga rëndësia, zoti Gjekë Gjonaj sapo më dërgoi dy librat e tij më të rinj: “I dentiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”(recensione-vështrime), Botimet Gjergj Fishta, 2014 (212) dhe “Bijtë e shqipes”, Botimet Gjergj Fishta, 2015 (416 faqe).

Krerët e librit “Bijtë e shqipes” janë jo vetëm kërshërindjellës, por edhe me prurje të freskëta për një numër temash gjithmonë të pavdira, si “dashuria për flamur” (Kreu i parë, f.11-34), ku gazetari me prirje të theksuara prej dokumentuesi, dëshmuesi e historiani, na jep një kronologji të përdormit të flamurit kombëtar shqiptar prej vitit 1905 deri në vitin 1968, duke sjellë dëshmi , prurje fakuese, të dhëna nga Tivari (1905), Tuzi e Trieshi (1906).

Kreu i dytë i librit (f.35-84) me titull “Kurrë të mos harrohen”, Gjonaj na jep shumë dëshmi e dokumente me vlerë, prej të cilëve meriton të veçohet “Letër e Papës Palit të 6-të ,me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skëndërebut (më 17 janar 1968). Letrën e Papës, Gjekë Gjonaj e ka përkthyer nga latinishtja dhe ajo letër, deri më sot gati krejt e papërmendur (ose, në most jetër) e pacituar, qoftë edhe për arsye të censurës në kohën e Shqipërisë komuniste, fillon me këto fjalë që zgjojnë kureshtje të këndshme:

“Ky është biri i një toke (thotë letra e Papës, duke folur për Skënderbeun) që ka pasur fatin të jetë e përfshirë nga apostullati i Shën Palit e ndoshta e pajisur nga një farë ungjillëzimi nga ky vetë, ndërsa kjo figuron si Kishë hierarkike në shekullin IV”. Ajo Letër është plot vlerësime e pohime, jo vetëm dashamirëse e të rëndësishme nga Papa Pali për shqiptarët e për Skënderbeun,po edhe me rëndësi të përhershme dhe aktuale për cilësitë dhe vlerat etno-kulturore të një plejade figurash të klerit katoloik shqiptar.

Gazetari ynë, Gjonaj, shënon se disa pjesë të Letrës së Papa Palit kanë qenë përkthyer nga latinishtja prej Dr.Athanas Gegajt dhe botuar në gazetën “Dielli” më 7 shkurt 1968, shoqëruar me këto fjalë vlerësuese: “Vatra” dhe të gjithë shqiptarët i mbeten mirënjohës Shejtëris së tij, Papë s Palit VI për shprehje fisnike që shkroi në atë Dokumnet të veçantë pëë Skënderbeun, për popullin shqiptar dhe për bijtë e tij kudo në botë. Ky është një dokument për të cilin krenohemi dhe i mbetemi mirënjohës Selisë së Shënjtë,-thotë në fund të shkrimti Athanas Gegaj”. (f.37).
Krejt kreu i dytë i këtij libri është plot me shkrime që të mahnisin me aftësinë qëmtuese të Gjekë Gjonajt për të risjellë në vëmendjen e shqiptarëve të kohës sonë disa prej pikave të paharrueshme të shkrimtarisë e të vlerave gjuhësore të mjediseve shqiptare në Malin e Zi. Kështu, aty na tërheqin shkrimet“Arnold fon Harfi, gjermani i cili dokumentoi se shqipja në Ulqin ishte gjuhë amtare para gjashtë shekujsh” (f.43), “37-vjetori i Besëlidhjes së Malësisë” (f. 49-52), “Nderohet kujtimi i Dom Simon Filipit”(f.53-57), “Rasim Llolla, misionar i tolerancës ndërfetare” (f.57-63), Gjekë Rudaj, bamirësi i madh i Ulqinit” (f.64-72); “Mark e Kolë Dedvukaj, shembull biblik i qëndresës njerëzore (f.73-78), Pretash Ulaj, trim i edukuar në votrën shqiptare” (f.79-84).

Kreu i tretë me titull “Copëza historike nga vendlindja” (f.87-191) çelet me shkrimin hyrës “Nga e kaluara e Trieshit”, ku autori derdh jo vetëm dashurinë për vendlindjen e tij, Trieshin, po edhe sjell një varg shkrimesh shumë tërheqëse e plot vlera historike e kombëtare me të cilat ai krenohet (po edhe na fton të krenohemi edhe ne si shqiptarë) për bëmat e bijve të mëdhenj që ka nxjerrë Trieshi në rrjedhë të shkujve. Përmendim, p.sh. “Nikollë Ivanaj-personalitet i shquar i shtetit dhe i pavarësusë shqiptare” (f.142-150); “Kontributi i Nikollë Ivanajt në shtypin shqiptar” (151-159); Mirash Ivanaj-harresa e dhimbshme mbi eruditin e madh” (f.160-172), si dhe një varg shkrimesh dhe intervistash me rëndësi për të pohuar vlerat atdhetare,si dhe ditunore e arsimore e kulturore të Trieshit e trieshjanëve, pauses i zellshëm e meritor i të cilëve është, pa dyshim, edhe vetë miku e gazetari ynë i njohur,Gjekë Gjonaj.

Ditët e fundit, zotin Gjekë Gjonaj e kemi propozuar të jetë në Këshillin Botues të gazetës “Nacional”, propozim që është pëlqyer e pranuar pa ngurim nga Kryeredaktori, z.Mujë Buçpapaj. Me këtë rast, si mik e dashamirë i autorit, për ata që mund të mos e njohin (ose që nuk i dinë të gjitha) ndihmesat, artikujt dhe librat e botuar nga z.Gjekë Gjonaj, po shënojmë shkurt sa vijon:

Gazetar, publicist dhe studiues. Ka lindur më 20 mars 1958 në Triesh (Malësi e Madhe), Komuna e Podgoricës, Mal i Zi). Librat e tij janë pëlqyer, përhapur e vlerësuar nga studiues dhe personalitet të mirënjohura të letrave shqipe në Mal të zi, në Shqipëri,Në Kosovë e në diasporën shqipare, sidomos në Amerikë, ku ai ka edhe aq shumë farefis e miq që e duan dhe e ndjekin veprimtarinë e tij të lëvdueshme publicistike e studimore. Përmendim, ndër të tjera, vlerësimet e recensionet e përgëzimet për veprat e tij nga nga Prof.dr.Simë Dobreci, prof.dr.Bahri Brisku , prof.dr.Hamit Boriçi, prof.dr.Hysni Hoxha, prof.dr.Romeo Gurakuqi, prof.dr.Alfred Çapaliku e shumë të tjerë. Kam shkruar edhe unë, disa herë, për librat e ndihmesat e Gjekë Gjonajt, sidomos kam vlerësuar rëndësinë e madhe të librit monografik “Prekë Cali-Piramidë e kufijve të Shqipërisë” (2005) dhe për librin “Shqipët e maleve” ( 2010). Në pritje që, në paçim shëndet e kohë, në ditë që pasojnë të ulem e të shkruaj edhe për dy librat e tij më të rinj, që sapo m’i ka dërguar, po lejohm të përdor si mbyllje një vlerësim të shprehur edhe më parë: Gjekë Gjonaj është ende i ri në moshë, porse shkrimet, emisionet radiofonike, artikujt në organe të shumta të shtypit shqiptar, pastaj librat e tij të këtyre dhjetë a pesëmbëdhjetë viteve të fundit, e kanë bërë atë jo vetëm të njohur,por edhe një penë të autoritetshme e me peshë në gazetarinë dhe në botën e letrave shqipe.

Prej shkrimeve dhe librave të Gjekë Gjonajt lexuesit e sotëm, do të përfitojnë shumë, do të mësojnë shumë gjëra nga bëmat e vlerat e Malësisë së Mbishkodrës dhe m gjerë për vendet shqiptare në Malin e Zi dhe, pa dyshim, do t’u lindë edhe dëshira për t’i vizituar Malësinë, Krajën, Ulqinin etj. duke gjetur atje, edhe sot e gjithë ditën, bujarinë tradicionale shqiptare, mikpritjen e pakundshoqe, fjalën e ëmbël shqipe, këngët epike, natyrisht edhe dëshirën ende të zjarrtë të shqiptarëve në Malin e Zi për të mbetur edhe më tëj shqiptarë. Shqiptarë në gjuhë, në zakone e në tradita, sepse kjo nuk i pengon aspak për të vazhduar të jenë edhe shtetas të mirë të Malit të Zi, ku jetojnë prej shekujsh.

Tiranë, 18 tetor 2015.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!