Ministri Dukaj: Shpresoj që aktorët politikë të vendit të tregojnë përgjegjësi për të tejkaluar krizën

Zëri i Amerikës: Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar shprehu dje shqetësimin për atë që e cilësoi si “krizë të thellë kushtetuese” në Mal të Zi dhe bëri thirrje për zgjedhje sa më të shpejta të parakohshme. Ai kritikoi ashpër përpjekjet për ndryshimin e ligjit për president, si edhe plotësimin e vendeve të Gjykatës Kushtetuese duke paralajmëruar kundër lojrave politike. Komentet e tij pasojnë thirrjen e Bashkimit Evropian për ndërprerjen e menjëhershme të bllokadës së institucioneve dhe normalizimin e situatës në vend. Për të diskutuar për situatën në vend kemi sot në studio ministrin e Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj. Mirësevini!

Marash Dukaj: Mirëse ju gjej dhe faleminderit për ftesën. Është kënaqësi që ndodhem këtu. Shfrytëzoj rastin t’ju falenderoj juve dhe të përshëndes të gjithë teleshikuesit tuaj që na ndjekin.

Zëri i Amerikës: Le të fillojmë menjëherë me një reagim ndaj deklaratave të zotit Escobar, të cilat ishin mjaft të forta dhe thirrjes së tij për zgjedhje sa më të shpejta, të parakohshme, si dhe shprehjes së shqetësimit për ligjin e presidentit. Cili është reagimi juaj?

Marash Dukaj: Ju keni të drejtë. Ne ishim të vetëdijshëm për situatën dhe para disa kohëve, subjekti që drejton zotin Nik Gjeloshaj bëri po të njëjtën thirrje, sepse Gjykata Kushtetuese është baza, themeli i ecjes përpara, apo dalja nga kriza, apo nga problemet me të cilat gjendet Mali i Zi. Po ashtu, për sa i takon ligjit për presidentin, deputeti i Listës Shqiptare, zoti Niman Begu votoi kundër këtij ligji. Prandaj qëndrimi ynë është shumë i qartë, këtë e kemi potencuar edhe publikisht, përmes mediumeve, takimeve të ndryshme, qofshin ato në nivel të shtetit të Maliz të Zi, dhe natyrisht këtë do ta bëjmë edhe në takimet që i kemi.

Zëri i Amerikës: Duke patur parasysh që edhe qytetarët kanë dalë në protesta pikërisht për këto çështje, cila ka qenë përgjigja që keni marrë kur i keni ngritur edhe ju këto shqetësime, pra për situatën e brendshme në vend?

Marash Dukaj: Çështja e ligjit për presidentin është vetëm vazhdë e të themi luftës politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, apo presidentit dhe atyre që votuan për këtë ligj dhe kjo natyrisht pati pasoja politike të shumta, reagime të themi më mirë, duke organizuar edhe protesta. Jo vetëm protesta, por ishin edhe thirrjet nga adresat më relevante jo vetëm të Bashkimit Evropian, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ky ligj nuk është kushtetues, që ky ligj duhet të tërhiqet, për faktin se nuk është në përputhje pra me ato kritere të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Ne e dimë, që punojmë me institucionet, që edhe ligjet që janë më të thjeshta duhet të kalojnë të gjitha procedurat për të marrë pëlqimin e institucioneve relevante, pasi që ne si shtet serioz duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian. Prandaj mendoj që jo vetëm çështja e ligjit, por edhe çështja e Gjykatës Kushtetuese, sipas mendimit tim është baza. Do të zgjidhet sa më parë dhe ju e keni përcjellë edhe përmes mediumeve, qofshin ato në Mal të Zi, qofshin edhe tek ju, edhe më gjerë, se është shtyrë seanca për votimin e gjykatësve kandidatë për Gjykatën Kushtetuese dhe besoj që do bëhet më datën 12 dhe në këtë periudhë kohore shpresoj dhe besoj që aktorët kryesorë të cilët vendosin për këtë çështje ta kuptojnë dhe të jenë të përgjegjshëm sa se e rëndësishme është jo vetëm për shtetin e Malit të Zi, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Si e komentoni ju këtë këmbëngulje në këto qëndrime, që siç u shpreh zoti Escobar janë lojëra politike megjithëse pasojat e vazhdimit të krizës janë të qarta.

Marash Dukaj: Po unë e përmenda diku gjatë bisedës sime se kjo është si rezultat i mungesës së marrëveshjeve. Pavarësisht nëse je pozitë apo opozitë duhet të bisedosh dhe të ulesh në tryezë, sepse detyrat që ne bëjmë kanë një përgjegjësi të madhe pra janë detyra publike, pavarësisht se ndoshta dikujt diku nuk i pëlqen në çdo aspekt por për hir të qytetarëve për hir të shtetit dhe të proçeseve duhet të ulemi. Pra kjo është luftë politike ndërmjet aktorëve të caktuar që ka filluar jo sot, jo dje, por edhe më parë. Nuk mund, kurdo qoftë që bën pozitën, nëse e ka një pozitë që nuk i ka dy të tretat apo tre të pestat nuk mund të vendosi vetëm për çështje madhore, prandaj gjithmonë duhet konsensus me opozitën dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm në proces.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për situatën lidhur me sulmet kibernetike të cilat shkaktuan mjaft pasoja. Çfarë masash po merr qeveria për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen?

Marash Dukaj: Ne duhet të kthehemi disi mbrapa dhe të flasim pak çfarë është bërë sa i takon çështjes së sigurisë për sulmet kibernetike dhe duhet ta dimë sesa të rëndësishme. Mund të pohoj me plot bindje se lufta kibernetike sot është lufta më e rrezikshme në botë dhe ne nuk kemi qënë aq të vetëdijshëm për këtë. Dhe në se e bëjmë digjitalizimin dhe njëkohësisht nuk e rregullojmë çështjen e mbrojtjes, nuk kemi zgjidhur asnjë problem. Ne kemi marrë hapa konkretë, Ministria e Administratës Publike që unë e drejtoj për këtë problem në këtë drejtim, ne edhe para se të kishim sulme kibernetike angazhuam ekspertë nga Bashkimi Evropian për të ndryshuar legjislativën sepse është hapi i parë dhe do ta ndryshojmë, do ta bëjmë ligjin e ri, besoj se është deri në fund të këtij viti, do ta kemi ligjin e ri i cili është për mbrojtje të informacionit dhe të mbrojtjes kibernetike i cili parasheh agjencionin për mbrojtjen kibernetike. Mali i Zi deri në këto momente nuk ka patur agjencion për mbrojtjen kibernetike, nuk e ka shërbimin që mbron gjithë kohën dhe këto janë probleme të cilat ne duhet të jemi të vetëdijshëm se janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen e identitetit të shtetit dhe jo vetëm të shtetit, por edhe të qytetarëve. Ne kemi marrë hapa konkretë për këtë çështje dhe si shtet ne nuk ishim të përgatitur për këtë sulm, por falë mbështetjes së SHBA, të FBI-së, të ambasadës amerikane në Podgoricë, na kanë ndihmuar që të dalim nga kjo situatë. Po këtu dua të theksoj se falë edhe angazhimit të ekspertëve nga Ministria e Administratës Publike të cilët janë mbrojtur dhe janë të dhëna personale, është mbrojtur shteti, është mbrojtur nga pasojat e rënda. Përveç kësaj ne kemi nënshkruar edhe një marrëveshje së bashku me francezët, të cilët ishin mbështetës së këtij procesi dhe me sllovenët, për krijimin e një qendre rajonale për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, e cila do të bëjë trajnimin e kuadrove që është shumë e rëndësishme për të ardhmen e kësaj fushe në Mal të Zi.

Shperndaje