Veseli takon Dinoshën, premton se do të asfaltohet rruga Deçan-Plavë (Video)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, me të cilin diskutoi për raportet midis dy vendeve, si dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe të komunitetit malazez në Kosovë.

Veseli e cilësoi arritje të madhe për shqiptarët në Mal të Zi dy vendimet e fundit të shtetit malazez, atë për themelimin e komunës me shumicë shqiptare të Tuzit, si dhe miratimin e vendimit që parashikon zyrtarizmin e gjuhës shqipe në komunat në të cilat shqiptarët përbëjnë mbi pesë për qind të popullsisë.

Po ashtu, kreu i Kuvendit të Kosovës e vlerësoi të një rëndësie të veçantë ratifikimin nga ana e Senatit amerikan të traktatit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke e konsideruar këtë vendim një hap të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

Veseli bëri të ditur se Kosova do ta fusë me rishikim të buxhetit asfaltimin e rrugës Deçan – Plavë, ndërsa kërkoi që Mali i Zi ta përfundojë pjesën e vet të kësaj rruge.

Kreu i legjislativit kërkoi po ashtu, heqjen e tarifës së sigurimit të automjeteve prej 15 eurosh për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt Malit të Zi.

Ambasadori Dinosha, nga ana e tij, theksoi përkushtimin e shtetit malazez për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, në frymën e bashkëpunimit e të miqësisë. Ai tha se krijimi i Komunës së Tuzit dhe zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe edhe në komuna të tjera, shtojnë peshën e shqiptarëve në Mal të Zi dhe avancojnë statusin e tyre në këtë shtet.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!