Urime Fitër Bajramin

Nesër besimtarët mysliman festojnë Fitër bajramin, ose Bajramin e Ramazanit, njërën nga festat më të mëdha të fesë Islame. Kësaj feste i parapriu muaji i shenjtë i Ramazanit, të cilët shumë besimtar e agjëruan me devotshmëri e sakrificë.

Me mesazh besimtarëve islam të Malit të Zi ju drejtua përfaqësuesi i kësaj Bashkësie Islame, dr. Behlul Kanaqi.

Me rastin e Fitër Bajramit, të gjithë besimtarëve, klerit dhe reisit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi Rifat ef. Fejziq, uruan presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq,  të gjithë kryetarët e partive politike parlamentare në Mal të Zi dhe të tjerët, transmeton RTCG.

Besimtarët mysliman e klerin i uruan edhe Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, Genc Nimanbegu, duke dëshiruar “që kjo festë e madhe, e cila vjen pas Muajit të shenjtë e të bekuar të Ramazanit, muajit të sakrificës, vetëpërmbajtjes, faljes, lutjes dhe përkushtimit ndaj Zotit Krijues, të na udhëheqë në çdo ditë dhe në çdo hap e veprim të jetës sonë, në të mirë familjeve tona, të afërmve, të shoqërisë dhe në të mirë të kombit. Le të jetë kjo festë, moment i unitetit dhe mirëkuptimit edhe ma të madh me njëri tjetrin, si një vlerë e domosdoshme edhe sot aktuale për ne shqiptarët, për të punuar e vepruar për një të ardhme sa më të mirë të brezave që vijnë, duke vënë interesin e përgjithshëm mbi interesat personale.

Bajramin e Ramazanit të gjithë besimtarëve mysliman, ua uruan edhe kryetari i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu dhe kryetari i Komunës Urbane të Tuzit, Abedin Axhoviq si dhe deputeti i Alternativës Shqiptare,Nik Gjeloshaj.

Duke shënuar përfundimin e muajit të madhërishëm të Ramazanit, kjo festë sublimon të gjitha vlerat dhe mesazhet morale të këtij muaji, adhurimin e Zotit të kuptuar si dashuri, mirësi e mirëkuptim mes njëri-tjetrit, si burim të shpresës e solidaritetit me ata që kanë nevojë për mbështetje shpirtërore e materiale, si një mundësi për t’i forcuar edhe më shumë vlerat tona humane. Bajrami është festë që mbush njerëzit me të menduarit pozitiv dhe mirësinë, sjell respekt për të gjithë njerëzit dhe kështu forcon besimin e ndërsjellë për të cilin të gjithë kemi nevojë.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!