Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur sot qytetar nderi i Bashkisë së Shkodrës.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, me propozimin e të parës së Shkodrës, Voltana Ademi, ky titull iu nda sot presidentit Thaçi në një ceremoni solemne para këshillit bashkiak.
Në njoftim thuhet se presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës për ndarjen e këtij titulli nga Bashkia e Shkodrës.
Ai ka thënë se kontributi i Shkodrës për botën shqiptare është i pallogaritshëm.
“Kjo trevë e juaja është karakterizuar me atdhedashurinë dhe trimërinë. Nuk është aspak rastësi që Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ u vendos pikërisht në Shkodër, duke u mbledhur në një ndërtesë disa dhjetëra metra larg prej këtu”, ka thënë ai.
Me kulturën e pasur dhe hapjen ndaj perëndimit, presidenti Thaçi ka thënë se Shkodra e ka mbajtur të pashuar lidhjen shpirtërore me Evropën.