A u mbyll Ballkani i Hapur?

Të gjitha kryeministra. Një prej tyre në largim. Por, i buzëqeshur, nëse jo më shumë se të gjithë. Krerët shtetërorë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të enjten në kryeqendrën gjermane, Berlin, nënshkruan tri marrëveshje rajonale, me theks të veçantë atë të lirisë së lëvizjes me karta identiteti.

Veç kësaj, palët vënë firmën edhe për dy të tjera, që kishin të bënin me diploma, respektivisht Arsimin e Lartë dhe atë të njohjes së kualifikimeve.

1. Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor 
2. Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor 
3. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore

Mikpritësi i Samitit të Procesit të Berlinit, kancelari Scholz hapi fjalimin e tij me premtimin tashmë të dëgjuar, atë se gjashtë vendet e rajonit e meritojnë të integrohen në familjen e madhe evropiane.

Sipas Kancelarit, kjo gjë është në vet interesin e rajonit. Ai gjithashtu shtoi se Procesi i Berlinit nuk do të çlirojë potencialin e bashkëpunimit, por pritet të jetë katalizator për integrim sa më të shpejtë.

Sot po bëni hapa madhorë duke nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajon. Marrëveshjet do t’ua mundësojnë qytetarëve tuaj që të lëvizin vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup”, deklaroi ndër të tjerash Scholz.

Ç’tha Kurti?

Kryeministri i Republikës së Kosovës, një nga adresimet kryesore e pati për planin franko-gjerman dhe marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar komentoi edhe rrugëtimin e Procesit të Berlinit, duke thënë se është mirë që opsionet, modelet, idetë të cilat po prezantohen kohëve të fundit janë avancim, meqënëse bëhet fjalë për nocione universale.

“Së pari, opsionet, modelet, idetë të cilat po prezantohen kohëve të fundit, pa dyshim janë avancim, meqenëse bëhet fjalë për nocione universale, siç janë integriteti territorial, pavarësia dhe barazia. Kjo është shumë e mirë për marrëveshjen e ardhshme mes Kosovës e Serbisë, që për bindjen tonë duhet të jetë finale, ligjërisht e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke. Është herët të themi se çka do të përmbajë ajo në fund, por ka lëvizje të duhur nga të ashtuquajtura marrëveshje për zgjidhjen e problemeve të posaçme, që shndërrohen në solucione sui genersis, me hollësi të panumërta, te një marrëveshje e cila është e bazuar në vlerat evropiane”- deklaroi ndër të tjerash kryeministri i Kosovës.

“Mbyllja” e Ballkanit të Hapur!

Përkundër faktit se kishte të atillë që konsideronin se Ballkani i Hapur e Procesi i Berlinit janë dy “projekte” që mund të funksionojnë paralelisht, kjo gjë nuk po shihet në horizont. 

Ballkani i Hapur kishte gëzuar mbështetjen e disa vendeve evropiane, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me këto të fundit që thonin se përkrahin çdo nismë ku shtetet e rajonit konsiderohen të barabarta.

Por, një lëvizje e udhëheqësve të Samitit të Berlinit mund t’i devijojë paksa gjërat sa i përket “Open Ballkan”.

Kjo pasi, Shqipëria, një nga mbështetëset më të mëdha të prcoesit në fjalë, do të jetë kryesuese e Procesit të Berlinit dhe organizatore e samitit të ardhshëm.

I njëjti do të mbahet me 6 dhjetor. Organizimet e tilla me lejen e Berlinit do të thotë se për të tjera organizime, ka më pak vend.

Gjithsesi, deri më tani jemi në suazat e supozimeve, kurse mbetet të shihet ditëve në vijim, nëse do të ketë diçka tjetër më konkrete.

Më poshtë gjeni njoftimin e kryeminstrit shqiptar, Edi Rama, ku konfirmon se vendet e rajonit, në fillim të muajit të ardhshëm, do të bëhen bashkë në Shqipëri.

“Sot Shqipërisë iu dha me propozim të kancelarit Scholz, kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm. Më 6 dhjetor në Shqipëri do të mbahet i pari Samit i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë. Këto ngjarje të mëdha ndërkombëtare të pandodhura kurrë më parë në Shqipëri, të paimagjinueshme deri disa kohë më parë për t’iu besuar një qeverie të Shqipërisë, janë domethënëse për shkallën e respektit që Shqipëria ka fituar ndërkombëtarisht”, u tha ndër të tjerash në njoftimin e Ramës.

Muharrem Kafexhiu

Shperndaje