Reagon Diaspora: Funerali duhet të jetë në shërbim të të gjithëve!

Diaspora Malësore në New York dhe Detroit për ndërtimin e Shtëpisë mortore “Malësia” kanë grumbulluar rreth 275 mijë dollarë amerikan.

Shoqatat “Malësia e Madhe” New York dhe Shoqata “Malësia e Madhe” Detroit, kërkojnë nga Këshilli i funeralit, të mbajnë premtimin që kishin dhënë gjatë fushatës së grumbullimit të fondeve për ndërtimin e kësaj shtëpie mortore.

Përfaqësuesit e këshillit të funeralit, kanë thënë se objekti do të jetë në shërbim të të gjithë banorëve të Malësisë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, fisnore, kombëtare apo ndonjë përkatësi tjetër dhe se në objekt dhe në oborrin e tij nuk do të ketë asnjë simbol fetar.

Shprehim me këtë rast keqardhjen tonë për lajmet që po na vijnë nga vendlindja e dashur rreth disa mosmarrëveshjeve, ne mendojmë të panevojshme, të mos themi të dëmshme, nëse janë të vërteta, lidhur me Shtëpinë mortore “Malësia” me seli në Tuz.

Letrën që na e keni dërguar Ju, si dhe fjalët e tre përfaqësueseve tuaj që na kanë folur qartë për nevojën dhe mënyrën e vënies në funksion të këtij objekti, i kemi kuptuar qartë dhe këto kanë bërë që njerëzit të mos hezitojnë në asnjë çast, por kanë ndarë mjete të konsiderueshme, duke ndarë edhe nga kafshata e gojës, për këtë qellim. Natyrisht se këtë e kemi çmuar si obligim tonin ndaj vendlindjes dhe popullit tonë që jeton atje. Në letër dhe në fjalët e përfaqësueseve tuaj është thënë qartë se objekti do të jetë në shërbim të të gjithë banorëve të Malësisë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, fisnore, kombëtare apo ndonjë përkatësi tjetër.

Po ashtu na është thënë qartë se në objekt dhe në oborrin e tij nuk do të ketë kurrfarë simbolesh fetare, por ato mund të vendosen në ditën e hatrit, në sallën ku pranohen ngushëllimet. Të gjitha këto janë premtuar me qellim të ruajtjes, gjegjësisht forcimit të harmonisë ndër fetare, kohëve të fundit të lëkundur pa arsye, pse të mos themi edhe ndër fisnore.

Në fund na mbetet të Ju lutemi që këto premtime t’i respektoni plotësisht dhe me përpikëri, në mënyrë që të evitohet çdo përçarje ose pakënaqësi e panevojshme.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!