Camaj: Nuk do të heshtim as në 2016 për devijime

Po e filloj këtë vështrim për vitin 2015, me shprehjen me të cilën e përfundova vështrimin e vitit të kaluar, se vitin që lamë pas e kanë shënuar vetëm rrudhat e fytyrës, pasi që, asgjë nga ajo që është premtuar e përfolur me vite nuk ka ndodhur; as në punësime, as në investime e as në avancim të statusit.

Megjithatë, disa flasin për punësime, e unë pyes; cilat punësime? Ato në baza partiake të PDS-së? Ato në komunë? Atë në QKI: Ato, falë të cilave, në Tuzin e Malësisë, aspak apo mezi flitet shqip? Jo zotërinj, për ne këto punësime nuk paraqesin përparim, por vetëm devijim!

Disa të tjerë flasin për investime: po për cilat investime? Arnime rrugësh, asfalt në oborre e rrugë private? E ku janë palestra sportive, tregu i gjelbër, rruga anësore, rruga Dinoshë-Selisht-Triesh, ujësjellësi për zonat malore, kopshti i fëmijëve, varrezat e qytetit etj.?

Në të njëjtën kohë, të gjithë këta së bashku, flasin për avancimin e statusit, nga komuna e qytetit në komunë të kryeqytetit! Po cili është avancimi apo dallim?! Nga territori urban, në atë kurban, apo jo?! Sepse statusi i ofruar vetëm se përforcon pozitën inferiore ndaj Podgoricës, dhe kryebashkiakun e Podgoricës e përforcon nikoqir në shtëpinë tonë. Ajo edhe tutje do të pyetet për prioritet tona, edhe pse “këta” flasin për territorin, buxhetin dhe vendimmarrjen! Por, duhet pasur para sysh se për këto të tria, fjalën e fundit e kanë kryebashkiaku, administratori dhe kuvendi i Podgoricës. Pra, të nderuar, këtu nuk ka çka flitet për suksese, se në fund të fundit, po të ishte ashtu sikurse flasin për këtë “ndërrim” statusi, ata që e iniciuan, e përkrahën, apo e glorifikojnë, se besoj se nuk do ta kishin festuar këtë “sukses të madh” të tyre. Por, nuk e festuan, sepse edhe ata vet e dinë se e gjithë kjo s’është gjë tjetër vetëm edhe një hile. Po të fitohej komuna e plotë, a thua se Malësia se kishte festuar. Unë them se po!

Megjithatë, përpos “rrudhave në ballë” dua të veçojë edhe diçka pozitive nga 2015-ta. Në rrafshin lokal, do të veçoja përkujdesjen e kësaj gjenerate për ruajtjen e kujtesës historike, përmes simpoziumeve dhe ngritjes së bustit të heroit kombëtar, Dedë Gjon Lulit, në Tiranë. Kurse, në rrafshin gjithë-shqiptare, 2015 do të mbahet mend për krenarinë që na solli Kombëtarja në futboll.

Në planin e investimeve do të veçoja vetëm shtëpinë mortore në Vuksanlekaj, ndërtuar me djersën tonë, këtu e në diasporë.

Nisur nga kjo që e thamë për 2015, zor se mund të pritet shumë nga 2016-ta? Në planin politik, hilja e pushtetit që dha rezultate në vitin që lamë pas, zor se do të japë fryte. Sepse nuk besoj se ligjet e posa-aprovuara do të implementohet ndonjëherë. Nuk besoj as se ky ishte qëllimi i atyre që e projektuan këtë hile.
As në planin ekonomik, nëse i referohemi asaj që pushtetarët kanë planifikuar nuk pritet shumë, edhe po të realizohej e gjithë ajo që është planifikuar, e jo më që ajo nuk realizohet kurrë. Edhe tutje pjesa malore e Malësisë do të ketë problem me ujë të pijshëm, kurse bujqit me plasmanin e prodhimeve. Sepse, për këto dy aktivitete, nevojë kyçe për jetën malësore, administrata lokale as që ka paraparë mjete. Edhe tutje, infrastruktura do të përjetojë vetëm arnime pa plan, e pa cilësi, duke u dhënë përparësi oborreve, hyrjeve dhe stallave të aktivistëve të pds-së. Edhe tutje, të hollat do të shkojnë aty ku nuk ka prioritet, dhe qindra mijëra euro do të na shkojnë për të bërë Tuzin metropol sporti. Metropol të një ekipi të vetëm, e që as nuk i paguan lojtarët e vet. Metropol sporti, pa gurë-themel për palestër, e pa stimulim të masivizimit të sportit (?).

Për këto, edhe shumë devijime të tjera, ne, së paku, as në vitin 2016 nuk do të heshtim, me shpresë se ky zë, i cili, në rend të parë ka për qëllim të ruaj dinjitetin tonë, do të fuqizohet dhe do të dëgjohet.

05. 01. 2016
Nikollë Camaj

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!