Në Ulqin nuk ka krizë: Partnerët mbështetje të plotë për Kryetarin e Komunës

“Koalicioni në nivel lokal funksionon dhe nuk ekziston asnjë problem brenda tij i cili nuk mund të tejkalohet dhe i cili mund të jetë frenë në funksionimin e tij të mëtejmë”, thuhet, përveç të tjerash, në përfundimet nga mbledhja e rregullt e koalicionit lokal e cila të shtunën mbrëma u mbajt në Ulqin, raporton portali Ul.info.

Nënkryetarja e Komunës së Ulqinit dhe nënkryetarja e UDSH-së Hadixha Gjoni ka deklaruar për Portalin Ul-info se është qëndrim unik i koalicionit, të cilin e përbëjnë Partia Demokratike e Socialistëve, Forca e Re Demokratike, Koalicioni “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, që gjatë funksionimit të tij të deritashëm janë të dukshëm rezultatet pozitive. “Janë tejkaluar disa probleme shumëvjeçare, është miratuar Plani hapësinor – urbanistik i komunës si bazë për zhvillimin e mëtejmë të Ulqinit dhe janë krijuar parakushtet për fillimin e projektit më të madh infrastrukturor, rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në territorin e komunës së Ulqinit. Mirëpo, problemet e mëdha infrastrukturore dhe financiare akoma ekzistojnë”, tha ajo.

Në përfundimet nga takimi theksohet se funksionimi i këtij koalicion nënkupton participim të barabartë të të gjithë anëtareve të tij, si dhe kontributin dhe angazhimin e tyre të plotë për funksionimin e mirë dhe cilësor të organeve të vetëqeverisjes lokale dhe shërbimeve publike.

“Të gjithë partnerët e koalicionit japin përkrahje pa rezervë kryetarit të Komunës së Ulqinit, me respekt të ndërsjellët dhe gjetjen e mundësive reale për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta”, theksohet në përfundimet nga mbledhja.

Shperndaje
error: Të drejtat e rezervuara !!