Mali i Zi dhe Serbia janë të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor, të cilat në Strategjinë e Komisionit Evropian do të marrin afat të qartë kalendarik për pranim të mundshëm në BE në vitin 2025, ndërsa datat e integrimit evropian të vendeve të tjera të rajonit nuk do të përmenden.
Kështu thuhet në versionin përfundimtar të Strategjisë për Perspektivën e Besueshme të Ballkanit Perëndimor, teksti i së cilës u miratua të hënën në takimin e shefave të kabinetit të Komisionit Evropian.
Në dokumentin që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Mali i Zi dhe Serbia identifikohen sërish si lidere ne rajon dhe pranimi i tyre në BE parashihet të bëhet për shtatë vjet.
“Negociatat për pranim janë duke u zhvilluar me Malin e Zi dhe Serbinë. Me vullnet të fuqishëm politik, me reforma reale dhe të qëndrueshme, si dhe me zgjidhje përfundimtare të kontesteve me fqinjët, këto dy vende do të jenë potencialisht të gatshme për anëtarësim në vitin 2025”, thuhet në tekstin e Strategjisë së Komisionit Evropian, e cila do të publikohet të martën në Strasburg.
Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nga ky dokument do të sigurojnë vetëm perspektivën për integrim evropian, pa afate kalendarike për pranimin e tyre të mundshëm.
“Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në bazë të kushteve të plotësuara. Me përpjekje dhe angazhim të vazhdueshëm, Bosnja dhe Hercegovina mund të bëhet kandidate për anëtarësim. Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane kur të lejojnë rrethanat objektive”, thuhet në Strategji.